Situata në Kosovë prej ditësh vazhdon të jetë e rënduar me akuza dhe kundërakuza ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Zyrtarë më të lartë të vendeve pavarësisht takimeve me ndërmjetësimin e Mogherinit sërish vazhdojnë të kenë një retorikë tensionale. Edhe mbërritja e kryeministrit Rama në Kosovë dhe vizita në zyrën e AAK-së ka shërbyer edhe më shumë për të rritur tensionet.
Gazeta e përditshme ‘’Kurir’’ në faqen e parë të sotme shkruan se “Në Mitrovicën e Kosovës, mbretëron një gjendje alarmi për shkak të tensioneve që kanë ardhur pas dështimit të bisedimeve mes delegacioneve serbe dhe shqiptare në Bruksel dhe porosisë që vjen nga Prishtina, e cila kurrë nuk do të lejojë krijimin e Unionit të komunave serbe, si dhe rritjes së patrullave në rrugë të policisë së Kosovës”.
Ndërkohë forca të mëdha të xhandarmërisë serbe zbarkuan në jug të Serbisë, në vijën administrative me Kosovën.
Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç mblodhi kryetarët e komunave me shumicë serbe të veriut të Kosovës, për t’i porositur “të rrinë të qetë dhe të besojnë në shtetin e tyre, Serbinë”.
“Paqja është interesi më i rëndësishëm i Serbisë dhe serbëve”, shprehet para gazetarëve kryeministri Vuçiç, duke i këshilluar përfaqësuesit politikë serbë, të mos i braktisin institucionet e Kosovës.
Gjithashtu, kryeministri Vuçiç u bëri thirrje serbëve të Kosovës “të mos bien pre e provokimeve, paqja është interesi ynë”- raporton gazeta beogradase. (E.K/SHUPLAKA)