Misteri i Gjergj Arianit Golemit është tema që po trajton sot emisioni “Identiteti” nga Aida Shtino në Fax News. Moderatorja dhe autorja e emisionit ka arritur të zbulojë disa mistere rreth jetës së Gjergj Arianitit, i cili njihet ndryshe si babai i Donikës apo vjehrri i Skënderbeut.
Thuhet se eshtrat e tij ndodhen në fshatin Golem të Gjirokastrës ku ndodhet një familje që krenohet se vjen nga degët e Arianitit. Por mbetet mister nëse prehen aty eshtrat e tij dhe nunk dihet nëse ka pasur historianë apo arkeologë që kanë gërmuar thellë në histori për të zbuluar të vërtetën.
KUSH ËSHTË GJERGJ ARIANIT GOLEMI
Ne nuk dimë shumë për historinë e një personazhi të rëndësishëm, Gjergj Arianit Golemit. Sot është një hap i vogël që do të hedhim dritë në figurën e tij, cila është historia?
Gjergj Arianiti, një histori e pazbuluar. Për ta njohur atë mbështetemi kryesisht në historiografinëe botërore sepse për fat të keq historinë tonë e kanë shkruar pushtuesit ose historian të huaj. Por si lindi miti i Gjergj Arianitit që edhe sot populli i këndon edhe nëpër këngë figurës së tij? Pse është lënë në errësirë? Kush janë Arianitët?
Ku lindi Gjergj Arianiti dhe ku vdiq? Ku ndodhet varri i tij? Janë shumë pyetje që shoqërojnë këtë figurë. Por le të fillojmë një udhëtim për të zbuluar fakte dhe rrethana të njohura pak për të.
Gjergj Arianit Komneni lindi në vitin 1376. I pari i kësaj familje i dokumentuar në shekullin e 11-të është David Arianiti, i cili në vitin 1001 dhe 1018 ishte strategu i themës së Selanikut, në shërbim të perandorit bizantin Vasili 2, i cili më pas lajmëroi strategë të Shkupit, u rezistoi kundër sulmeve barbare të bullgarëve.
Në vitin 1319, Papa Gjoni 22 i dërgon një letër fisnik dhe albanez. Ndërmjet tyre dhe protolegatit, Guljem Arianiti, ku i bën thirrje të bashkohen për organizimin e kryqëzatës anti serbe. Kjo letër e Papës, dërguar Guljemit, dëshmon pozicionin e lartë politik e shoqëror të Arianitëve. Por cili ishte Princi Gjergj Arianit Komneni?
Princ Arianiti në dokumente të ndryshme njihet me disa emra. Emrin e vërtetë e ka Arianit Komneni, por njihet si Gjergj Arianiti. Në legjendat popullore, e thërrasin Gjor Golem Arianiti, të tjerë e thërrasin thjesht Gjorgj Golemi. Edhe pse në katër emra, bëhet fjalë për një njeri, Gjergj Arianit Komneni.
Kronikanët e kohës thonë se është i njëjti trung me Topiajt. Një gjë është e saktë, se Arianitët, sipas studiuesit italian Paolo Petta, janë vazhdues të familjes së lashtë të shekullit të nëntë Vrana, me të cilën zë fill aristokracia feudale e Europës Juglindore.
Sipas studiuesve dhe kronikanëve, thonë dhe shkruajnë se emri Vrana ka ndryshuar disa herë, në Vrana, Uran, Brana, Arinit, Harinit dhe Arianit. Nëse shohim zhvillimin e emrit, dalin të dy emrat, Arianit dhe Vrana. Të dyve i shtohet Komneni, emër i trashëgimisë nga perandori bizantin. Është fakt që Gjergj Arianiti megjith bëmat, lavdinë, famën dhe meritat për bashkim kombëtar, nuk përmendet shumë në tekstet e historisë, nuk i kanë dhënë vlerësimin e duhur si një prijës elitar. Madje është i lënë në harresë.
Më shpesh përmendet si i ati i Donikës, ose vjehrri i Skënderbeut. Gjergj Arianiti ka personalitetin dhe individualitetin e tij, i cili ka qenë i famshëm si brenda Arbërisë, edhe në botë. Ai triumfoi për dhjetëra vite ndaj sulmeve të Ushtrive Osmane, prej vitit 1431 deri në 1443 dhe më pas përkrah ushtrisë së Skënderbeut derisa dha frymën e fundit. Debatet mbi origjinën e emrit si dhe fundin e tij vazhdojnë edhe sot.
Gjergj Arianiti ishte nga një familje e madhe në Arbëri me shumë autoritet që vjen deri në ditët e sotme, e cila është po aq e madhe e me famë edhe në Itali ku kishte martuar vajzat e mbesat e tij me familjen më fisnike të Europës.
Gjergj Arianit Komneni ishte dëgjuar si askush tjetër për trimëri, për mbretërinë e tij të madhe, për fisnikërinë e lashtë të fisit të tij. Madje në librin e artë të familjeve fisnike të mesdheut, është edhe familja e Vrana Arianitëve, me simbolin e saj, stemën që e trashëgoi i biri i Gjergjit, Kostandin Arianiti.
Zotërimet e Gjergj Arianitit kishin një shtrirje të madhe në Shqipëri, nga Dibra, Manastiri, Shpati, Polisi, Durrësi, Mallakastra, deri në det, Vlorë, Kaninë, Himarë, Kurvelesh, e deri në Golem të Gjirokastrës. Meqë ai zotëronte dhe Golemin e Gjirokastrës, ka dhe një gojëdhënë që thotë se ndoshta varri i tij ndodhet në fshatin Golem. Sa e vërtetë është kjo gojëdhënë nuk e dimë, por dimë se ky fshat mban emrin e tij dhe sot.
Banorët flasin për një varr që e kanë quajtur gjithmonë varri i Gjergjit. Po a është ky varri i Gjergj Arianitit apo ndodhet diku tjetër? Gjithsesi, edhe sot në Golem të Gjirokastrës, familja Golemi mburret me mbiemrin dhe thonë se janë degë e Arianitëve, ku aty ende ruhet toponimi, varri i Gjergjit të madh. Gjithmonë toponimet dhe varret janë identiteti i brezave që vijnë pas, por si është historia e vërtetë e atij vendi? A prehen aty eshtrat e të famshmit Gjergj Arianiti? A kanë mundur ndonjëherë historianët apo arkeologët të gërmojnë thellë në histori dhe ta vërtetojnë këtë gjë?
(A.M/Faxweb.al)
Discussion about this post