Spak ka zbarkuar para pak çastesh në zyrat e portalit Lapsi.al, pas publikimit nga ana e tyre të skndalit të përdorimit të të dhënave personaleve të qytetarëve në e-Albania në funksion të fushatës elektorale të Partisë Socialiste.
Prokuroria ka shkuar në zyrat e medias online për të bërë verifikime dhe për të sekuestruar serverin, ku selia rozë ruante preferencat e votës së 910 mijë qytetarëve të kryeqytetit.
Kujtojmë se dokumenti i publikuar nga Lapsi.al përmban të dhënat personale të qytetarëve të Tiranës, si numrat e telefonit, numrin e kartës së identitetit, numrin e qendrës së votimit, vendin e punës për shumicën e të regjistruarve dhe një përshkrim të përkatësisë politike për secilin prej tyre.
Në dokumentin, që është afërsisht 234 MB, përkatësia politike e secilit është përshkruar shkurt me PO ose me JO në një kollonë, nga personat që janë pjesë e skemës së “patronazhit”.
“Patronazhistët” quhen ndryshe anëtarët e PS-së që përmes kontakteve, telefonatave apo të njohurve të përbashkët krijojnë një ide të përafërt të bindjeve politike të secilit prej nesh.
Sistemi i patronazhit është përdorur edhe në zgjedhje të kaluara, por diferenca për “mandatin e tretë” është se, dikur të dhënat për votuesit potencialë mblidheshin në mënyrë vullnetare, kurse në database që përdor sot Partia Socialiste ka informacione sensitive tonat, që po keqpërdoren për fushatën zgjedhore.