Nga dje skena politike ndodhet në një situatë tërësisht të re. Kryeministri Rama ka shtrirë dorën e bashkëpunimit për opozitën duke i ftuar ata që të bashkëpunojnë në zgjedhjen e kryeprokurorit të ri.
Lidhur me këtë Drejtori Ekzekutiv i ‘’Fax News” Enton Abilekaj shprehet se zgjedhja për PD-në do të jetë e vështirë.
Sipas Abilekaj në rast se Basha pranon të bashkëpunojë zërat kundër do ti kujtojnë 17 Majin dhe dështimin e kësaj marrëveshje, ndërsa në rast se refuzon Edi Rama do të ketë mundësinë që të zgjedhë në mënyrë morale kryeprokurorin e ri vetëm.
“Rama ka prishur të gjithë skemën dhe të gjithë debatin që pritej sot. Pas takimeve shumë të rëndësishme që pati në Bruksel kryeministri, ku u tha se Reforma në Drejtësi do të ishte çelësi për integrimin, vjen dhe kjo lëvizje.
Kjo e shtyu kryeministrin që të hidhte këtë ofertë në skemën politike, kjo ka krijuar një situatë të re, edhe vetë në PS kanë bërë një prapakthehu që edhe vetë deputetët e kësaj force nuk e prisnin. Ata ishin përgatitur fort që të kundërshtonin opozitës.
PD është përballë një marrëveshje të re si në 17 Maj, po kjo është një ofertë që shihet me shumë dyshim pas dështimit në marrëveshjen e parë. Oferta është e parefuizueshme, nëse do të ketë një marrëveshje të re zërat kundër do ti kujtojnë 17 Majin, ndërsa në rast se refuzon Edi Rama do të ketë mundësinë që të zgjedhë në mënyrë morale kryeprokurorin e ri vetëm.
Është për t’u parë edhe qëndrimi që do të mbajë LSI-ja në këtë rast. Në momentet që flasim vendi është pa kryeprokurorë pasi Adriatik Llallës i ka mbaruar mandati. Në rast se Rama do të donte integrimin ai mund të zgjaste dhe mandatin e Adriatik Llallës në mënyrë që të jepte kohën e duhur që të formoheshin.
Mes dy varianteve të një prokurori kukull që do të ishte si prodhim i një marrëveshje bashkëpunimi dhe një prokurori që do të zgjidhej nga mazhoranca më mirë të ndodhte kjo e dyta. Flasim për një organ akuze që ka pasur një rol fasadë, një rol pasiv që nuk ka çuar asnjë zyrtar në Gjykatë.
Kështu më mirë që të kemi një prokurorë nga ana e mazhorancës dhe në këtë rast do të kishim përgjigje edhe për 21 Janarin. Varianti më i mirë do të ishte zgjedhja e një kryeprokurori me 3-5, ndërsa në rast se do të kishte një bashkëpunim me PD-në do të ishte varianti më i keq. Zgjedhja e prokurorit në tryezë siç e propozon Rama do të ishte shkatërruese për Reformën në Drejtësi që pritet të nisë.
PD-ja pritet që të konsultohet me forumet ose me ish-kryeministrin Sali Berisha“, u shpreh mes të tjerash Abilekaj.
(E.K/FAXWEB)