Avokati Arbër Hoxha në një intervistë për Fax News, thotë se lirimi i Saimir Tahirit nga burgu është një vendimmarrje plotësisht në përputhje me ligjin. Sipas tij vendime të tilla jepen çdo ditë në gjykatat e rretheve, dhe në rastin e Tahirit, ato bënë bujë, për shkak të pozicionit të tij politik.
Sipas Hoxhës, lirimi i Tahirit u zvarrit për 5 muaj, pasi ligji e parashikon që persona që kanë më pak se dy vite dënimi ende në fuqi, dhe kanë në ngarkim fëmijë të mitur, mund të përfitojnë një masë më të butë.
“Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan bazuar në kërkesën e mbrojtjes, në përputhje me ligjin, ka marrë vendimin për lirimin nga burgu. Kodi penal e parashikon që për dënime të mbetura më pak se 2 vite, dhe personi ka në ngarkim fëmijë të mitur, mund të lirohet për të qëndruar në shtëpi. Ai mund të lirohet për nevoja të fëmijëve dhe gruas.
Duke qenë se kemi të bëjmë me një person politik, kjo përbën lajm, vendime të tilla jepen çdo ditë në gjykatat e rretheve. Qëndrimi i prokurorit dhe gjykatës në këtë rast është në përputhje me ligjin. Prokurori ka detyrimin që të adminsitrojë dhe të çojë në gjykatë provat, jo vetëm që janë kundër të pandehurit, por edhe ato që janë në favor të tij.
Nuk ka asgjë të jashtëzakonshme në këtë vendim. Janë caktuar ekspertë mjekësorë, për ti ardhur në ndihmë vendimit të gjykatës, në rastin e Tahirit ka pasur një zvarritje për 5 muaj, në aspektin procedurial”, u shpreh avokati Hoxha në studion e Fax News.
Hoxha tha se në rast se Gjykata e Lartë, ku Tahiri ka bërë rekurs, vendos që dënimi i tij është i padrejtë, dhe ai shpallet i pafajshëm, ish-politikanit socialist i lind e drejta edhe që të kërkojë dëmshpërblim./Faxweb.al
Discussion about this post