Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një bashkëbisedim online me qytetarët, duke ju përgjigjur në rubrikën “Sy m’sy” pyetjeve dhe komenteve të ndryshme të lexuesve.
Një nga komentet që tërhoqi vëmendjen e kreut të qeverisë ishte: “Korrupsion më shumë, meritokraci më pak!”, gjë e cila u kundërshtua nga Rama, i cili tha se sot ka më shumë luftë kundër korrupsionit. Sipas Ramës sot ka më shumë luftë ndaj korrupsionit, pasi prokurorëve iu është dhënë pavarësi dhe mbështetje.
“Mendoj se ajo që ka më shumë rëndësi janë shifrat dhe faktet dhe pastaj sigurisht që njeriu beson çfarë do dhe jo çfarë duhet bazuar mbi të vërtetën dhe faktet. Të thuash se ka korrupsion më shumë sot në Shqipëri nga se çfarë kishte, do të thotë të thuash të pavërtetën më të madhe për një mijë e një arsye. Sot ka më tepër luftë ndaj korrupsionit, ka procese ndaj korrupsionit që nuk ekzistonin më përpara, por këto procese nuk tregojnë se ka më shumë korrupsion. Sot ka më shumë luftë kundër korrupsionit dhe po ata prokurorë që erdhën këtu dhe nuk kanë hapur në jetën e tyre një proces për korrupsion, sot hapin procese pas procesesh për faktin se iu është dhënë liri, iu është dhënë pavarësi dhe kanë mbështetje të plotë për ta bërë këtë, është një epokë tjetër kjo dhe për këtë arsye Bashkimi Europian na konsideron si anëtarët e tij të rinj në vitet në vijim, pasi jemi shumë seriozë në këtë gjë,” u shpreh Rama.
“Po ti gjysmën e qeverisë e ke në burg!”, ishte një koment tjetër. Kryeministri Rama iu përgjigj se qeverisja socialiste ka krijuar kapacitetin shtetëror për të goditur fenomenin kanceroz të korrupsionit, pavarësisht pozicionit.
“Si i numëron, e para punës? Me çfarë metri i numëron? Për shkak se shqiptarët më kanë besuar këtë privilegj të jashtëzakonshëm të drejtoj këtë vend dhe të shërbej si fuqi bashkë me PS për transformim e këtij vendi, unë kam pasur në qeveri afro 60 ministra qysh nga viti 2013. Nuk e di si bëhet ky numërim, se nuk është kështu.
Nëse ne kemi krijuar kapacitetin shtetëror për të goditur fenomenin kanceroz të korrupsionit, pavarësisht pozicionit të mirë apo të keq të tjetrit, kjo është për të marrë frymë thellë edhe për t’u ndjerë më mirë që më në fund u çliruam nga makthi i të jetuarit në një shtet ku drejtësia nuk vepronte kurrë ndaj atyre që kishin pushtet, apo kjo është për t’u turrur dhe për të thënë: Sa keq! Nuk e di!”, tha Rama.
Rama shtoi se “më në fund po bëjmë një shtet të së drejtës”.
“Ky është vullnet i hekurt për t’u përballur me një sëmundje duke pranuar që patjetër që kjo sëmundje prek edhe ata që qeverisin. Dhe ndërkohë që qeveris, duke lejuar dhe duke mbështetur një fuqi jashtë vetes, që është drejtësia e pavarur për të bërë operacionet e veta, në mënyrë që qeverisja të jetë e pastruar dhe në mënyrë që qeverisja të jetë e çliruar nga tentakulat e korrupsionit, që patjetër që qeverinë e prekin edhe ata që qeverisin.
Por nëse ne po e bëjmë këtë sot, kjo është për t’u ndjerë i inkurajuar që më në fund po bëjmë një shtet të së drejtës, po bëjmë një shtet ku të gjithë jemi të barabartë para ligjit. Dhe kush po e bën këtë, Stamo Dumo apo Noc Rroku? Kush po e bën këtë?! Është fare e thjeshtë kjo besoj!”, tha Rama.