Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka reaguar nga çadra e protestës pas deklaratës së Presidentit Bujar Nishani pasditen e sotme, ku ka shprehur qëndrimin e tij lidhur me dekretimin e 4 ministrave të rinj.
Këtë qëndrim të Presidentit Nishani, kreu i demokratëve Lulzim Basha e ka cilësuar si një veprim të Kreut të Shtetit “në lartësinë kushtetuese”.
“Vetëm intrigantët dhe miopët e lexojnë ndryshe këtë qëndrim të presidentit”, është shprehur Basha.
Në fjalën e tij para protestuesve, kryedemokrati Basha theksoi faktin se Presidenti Nishani i bëri një thirrje të qartë Edi Ramës dhe Ilir Metës ta tërheqin kandidaturën e hetuesit xhelat dhe të hapin sa më shpejt dialogun me opozitën. Për Bashën, ky dialog duhet të ketë vetëm një qëllim, qeverisjen teknike.
Më herët, kryedemokrati Basha i kërkoi Presidentit Nishani të mos dekretonte Fatmir Xhafajn në postin e ministrit të Brendshëm.
Kreu i Shtetit, u ndal sot në konferencë tek emri i propozuar nga kryeministri Rama për Ministrinë e Brendshme, Fatmir Xhafaj, të cilin e cilësoi si të papërshtatshëm për këtë post, por theksoi se Kushtetuta nuk ia lejon të refuzojë. (M.D/ Shuplaka)