Prej muajsh tashmë Majlinda Bregu e mbetur jashtë Parlamentit është larguar dhe nga pjesëmarrja aktive në PD. Kjo sa për shkak të disa rrymave që qarkullojnë brenda partisë, po aq edhe për shkak të sjelljes së Bashës sipas saj.
Në një intervistë në “Mbrëmje në Abc News” me Mirela Milorin, e pyetur rreth përfaqësimit të qytetarëve në Kuvend, Bregu u shpreh se deputetët kanë mungesë të njohurisë mbi të folurit publik.
“Ndihem keq kur shoh debatin parlamentar, ku edhe ata që hynë në parlament pa njohuri dhe zhvillim politik apo në të folurën publike. Ka nivel të ulët në njohjen e të folurës publike. Opozita duhet të ketë folës më të mirë në parlament, nuk arrij të numëroj 2-3 veta që të kem mundësi ti dëgjoj dhe të kuptoj diçka”- tha ajo.
Pyetur për Bashën me përplasjet me të, Bregu ka sqaruar se “Unë kam qenë më afër me të për ecurinë, moshën, momentin, trajektoren politike, sesa Topallin, Patozin, Boden, se unë dhe Basha hymë në parti politike njësoj, ishim paralel në gjimnaz, dhe kur hyn tenton të kesh një grupim për të mbajtur njëri-tjetrin se po hynim në një ambient që nuk kishim familjaritet.
Problemet me Bashën filluan kur nuk mendonim më njësoj, kur Berisha u largua, Basha kishte pamjen e një djali të shkolluar jashtë me aftësi elegante dhe partia duhet të merrte disa forma të tjera menaxhimi, të kishte një format si janë kompanitë sot në botë. Por tendencat për të sulmuar, përjashtuar, vendosur në vështirësi ata që mendonte se mund të vinin atë në vështirësi, filluam të kishim debatet e para por krejtësisht normale brenda grupit.
Qëndrimet e mia të ashpra nisin me reformën në drejtësi, por për hir të një qëndrimi të luhatur të Bashës vetë që na vuri në siklet dhe disfavor me partnerët se po etiketoheshim se PD nuk e donte reformën dhe vetingun për shkak të lojës dyfish të Bashës. Sot nuk ka PD, e thotë cdo anëtar, po dëshmohet cdo ditë nga mbledhjet farsë të strukturës për analizën, se përgjegjësinë për humbjen duhet ta mbajë kryetari. Kjo nuk është partia ku hyra unë, Topalli, Bode, Patozi, qoftë edhe Berisha”- tha Bregu.
(E.K/FAXWEB)