Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani, ka reaguar lidhur me publikimin e rezultateve të numërimit të votave të deri tanishme nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Duke qenë se PS deri më tani ka siguruar 72 mandate, Manjani shkruan se ky është basti i parë i fituar nga Edi Rama. Prandaj sot i shkruan “Ta gëzosh Shqipërinë”.
Mirëpo Manjani shton se Rama nuk fitoi zgjedhjet, por thjesht bastin pasi sot sipas tij nuk ka fituar program por thjesht barcoleta.
“Basti i fituar.
—–
Ky është i pari bast që fitoi Edi Rama. Disa ditë më parë shkruajta që “nëse e fiton këtë bast, ta gëzojë Shqipërinë”!
Sot e përsëris: Ta gëzojë Shqipërinë!
Sukses nuk i uroj dot, sepse nuk fitoi zgjedhjet, por bastin!
Nuk fitoi programi, por barcoleta! Nuk e fitoi kryeministrinë, por i mbeti në dorë!
Ai donte të qeveriste vetëm, ja ku ja arriti kësaj dite! E ka të gjithë tepsinë për vete! Ta hajë deri sa të fryhet!
E ardhmja?! Nuk e di! Askush se di! Dyshimet janë stërmunduese! Nuk pritet gjë e mirë! Idetë e rrezikshme të tij mbi demokracinë, liritë dhe sundimin e ligjit, vështirë të kenë pengesa!
Shteti do jetë krejt në dorë të tij! Nuk ka më asnjë alibi që dikush po e pengon!
Sa për blerjen e votave: jam i bindur që janë blerë! Me para në dorë dhe relativisht masivisht! Kanabis solli potencial te madh financiar!
Por, fajin më së pari e ka ai që e shet votën! “Shitësi” i votës është shitësi i demokracisë. Ky është rregulli bazë i llogjikës. Të tjerat janë stërhollime politike e ligjore!
Nëse njerëzit e shesin lirinë e demokracinë, ka mbaruar çdo logjikë e metejshme! Blerësit ndjehen “legjitimë” ti nxjerrin ujët e zi çdo gjëje!
Kundërshtarët e Ramës duhet tē kërkojnë arsyet e kësaj gjendje tek vetja dhe jo tek të tjerët. E sigurtë është që fituesi kishte strategji më të mirë.
Kërkimi i “fajit” tek sondazhet nuk ndihmon! Fakt është që sondazhini IPR Marketing dhe Ora Neës, me pak saktësime doli korrekt!
Me rëndësi tani është organizimi i Shqipërisë opozitare! Pa opozitë diktatura monopartiake do ta ketë krejt të lehtë të bëjë çtë dojë!
Duhet të kthejmë zgjedhjet në alternativë dhe jo në bast!
Bastet i fiton gjithmonë pushteti!”, shkruan Manjani. (D.D/Shuplaka)
Discussion about this post