Vendimi i qeverisë i shtyrë disa vite, për të ndaluar importin e makinave që janë prodhuar para dhjetë vitesh, duket se do të anulohet.
Mediat raportuan se pas kërkesave të tregtarëve të automjeteve, është vendosur që të hapen dyert e importit për të gjithë flotën Euro 4. Për këtë vit, në Shqipëri do të lejohen të bëjnë regjistrimin edhe makinat me moshë 14-vjeçare.
Vendimi i marrë në mbrojtje të mjedisit mësohet se është kërkuar të ndryshohet prej Ministres së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku.
Shumë shpejt dy ministrat, ai i Mjedisit Blendi Klosi dhe ajo e Infrastrukturës Belinda Balluku, do të firmosin vendimin e ri i cili do t’i hapë rrugë regjistrimit në Shqipëri makinave të cilat kanë datën e prodhimit në vitin 2005.
Një lëvizje e çuditshme, kur vetëm pak javë nga hyrja në fuqi e VKM-së, të bëhet “rikthim në gjendjen fillestare”.
Pas një takimi të kryeministrit Rama me tregtarët, këta të fundit i kanë theksuar se sipas tyre, standardi euro 4 nuk ndot mjedisin dhe se i njëjti standard lejohet edhe në shtete të tjera të Bashkimit Europian.
Atëherë lind pyetja, pse kjo tërheqje e qeverisë, e cila u trumbetua nga si një masë, e cila do të ulte ndjeshëm ndotjen e ambientit?
Është e drejtë të lindin dyshime se, të tilla tërheqje dhe anulime vendimesh, bëhen për interesa të caktuara, pikërisht ato të cilat opozita i ka quajtur “klienteliste” apo “favorizim oligarkësh”.
Vetë kryeministri Rama përmes një videopostimi në Facebook, pati informuar publikun se 80 për qind e automjeteve në Shqipëri janë me certifikatë euro 3, me moshë të vjetër prodhimi dhe shkaktojnë 3 herë më shumë ndotje nga niveli normal.
Kjo “prapa-kthehu” mund të shndërrohet në një precedent edhe me VKM apo ligje të tjera, se sa herë “t’i dojë qejfi” qeverisë, apo aty ku “klientela” ndërhyn, gjithçka të zerohet sikur nuk ka ndodhur asgjë.
Aktualisht në Shqipëri gjenden rreth 300 mijë automjete me 20 vjet vjetërsi prodhimi dhe të regjistruara sipas normës Euro 3.
Vetëm një numër i vogël mjetesh, ose rreth 5 për qind, janë makina të viteve të fundit dhe të standardit Euro 5.
Për këtë vit, në Shqipëri do të lejohen të bëjnë regjistrimin edhe makinat me moshë 14-vjeçare duke favorizuar tregtarët e makinave të vjetra dhe duke ndikuar për rrjedhojë në ndotjen e mjedisit.
Kështu, në një kohë që vendet e BE po marrin të gjitha masat e mundshme, duke stimuluar daljen nga tregu të makinave të vjetra në Shqipëri, ministrja Balluku bën nul ligjin dhe vendos të lejojë ndotjen e mjedisit me importin e tyre./Shqip