Ditën e sotme u njoftua lirimi nga burgu i ish-deputetit Mark Frroku, deputet në vitet 2013-2015 në aleancë me socialistët.
Gjykata e Fierit pezulloi vendimin për dënimin e tij me 6 vite burg nga Gjykata e Apelit për fshehje pasurie.
Por çfarë kërcënimi i bëri ai në vitin 2014, ish-kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli?
Në 4 vite të qeverisë Rama, Mark Frroku u kthye në deputetin simbol të nismës së dekriminalizimit të Partisë Demokratike dhe të akuzave për lidhjet e kryeministrit Edi Rama me personat me të shkuar kriminale.
Ishte ish-kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli e cila, në një fjalim të saj gjatë një seance plenare, hodhi e para dyshimet për implikimet e deputetit Frroku në një ngjarje kriminale në Belgjikë, mbëshetur në një gazetë belge.
Fjalimi i Topallit nisi radhën e gjatë të akuzave të Partisë Demokratike ndaj deputetëve dhe kryebashkiakëve socialistë me precedent penal.
“Para disa ditësh në gazete belge fliste për një emër që është deputet këtu në sallën e Kuvendit që akuzohej për vepra të renda penale, trafiqeve etj, unë nuk di cili do jetë vendimi, por një njeri që është ulur në këtë sallë disa vite nuk mund të rrijë pa i thënë kryeministrit: Fol e shpjego.
Ku do shkojë vendi nëse të gjithë do të heshtin, nëse gazetat e huaja hapen me të tille emra e probleme, nëse është i pafalshëm pse nuk i del zot kryeministri”, tha Topalli.
Por Frroku, i cili në atë kohë vinte nga Partia Kristian Demokrate dhe ishte deputet në listat e Partisë Socialiste, shantazhoi Topallin duke i përmendur borxhet që ajo i kishte sipas tij në financimin e fushatës së vitit 2009 në Shkodër.
“Jozi me informuan për sulmin tënd në Parlament sot. Më erdhi keq që pikërisht ti e bën këtë gjë. Më ke akoma borxhe nga fushatat që kam bërë për ty, dhe me vjen keq që gjithë ata burra s’kane guxim dhe fshihen pas fustanit tënd. Unë s’merrem me gra të përdorura. Mark Frroku” – shkruante atëherë ish-deputet.
Partia Demokratike aso kohe, reagoi menjëherë duke e quajtur kërcënimin si vërtetim të akuzave se Partia Socialiste kishte futur në Kuvend persona me të kaluar kriminale.
https://www.youtube.com/watch?v=wkD_bStNYGk&feature=youtu.be
Ndërkohë, Gjykata e Strasburgut ka rrëzuar dje kërkesën e Mark Frrokut dhe të Kristjan Marinajt për t’u njohur të drejtën e ndërprerjes së proceseve të cilët, sipas tyre u kanë zgjatur tej afateve të arsyeshme.
Pavarësisht pafajësisë së dhënë nga Gjykata e Fierit ditën e sotme, ndaj Frrokut është dhënë dënim në mungesë në vitin 2010 nga Gjykata Belge, për vrasjen e Aleksandër Kurtit në vitin 1998 në këtë shtet.
Ka qenë pikërisht gjyqi në Belgjikë, të cilin Frroku e ka paditur në Gjykatën e Strasburgut për shtyrje afatesh në gjykim.
Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg njoftoi dje se më datë 6 mars 2018, një trup gjykues i përbërë nga gjyqtarët Robert Spano (kryesues), Paul Lemmens, Işıl Karakaş, Nebojša Vučinić, Valeriu Griţco, Jon Fridrik Kjølbro dhe Stéphanie Mourou-Vikström ka marrë në shqyrtim padinë e dy qytetarëve shqiptarë.
Bashkë me këtë njoftim, ajo ka zbardhur edhe vendimin e marrë duke rrëzuar padinë e Mark Frrokut dhe Kristjan Marinajt.
(E.L./Faxweb)