Ngjarja e rëndë që ndodhi pasditen e djeshme, ku shtetasi Ritvan Zykaj, 24-vjeç u mori jetën 8 personave, bëri jehon të madhe në mediat kombëtare dhe ndërkombëtare. I gjithë opinioni publik ka mbetur i shokuar nga veprimi i të riut dhe më së shumti fshati Resulaj i Selenicës në Vlorë, është tronditur nga kjo ngjarje e paregjistruar, të paktën dekadat e fundit në Shqipëri.
Një ngjarje me përmasa të mëdha, ku e gjithë dinamika e ngjarjes është shoqëruar me opinione të ndryshme ndaj krimit makabër, ku 24-vjeçari me armën kallashnikov shuajti tre breza të një familjeje.
Ditën e sotme në studion e Fax News ka qenë i ftuar sociologu Ergys Mertiri, i cili foli në lidhje me këtë ngjarje të rëndë. Sociologu ka folur se çfarë shkaktojnë ngjarje të tilla dhe mesazhet që ato japin në shoqëri.
“Ngjarje të tilla janë traumatike dhe kjo është ngjarja e verës. Nuk është e lehtë të shikosh një familje që shuhet për një ditë, për arsye banale. Njerëz të cilët priren për të bërë veprime të tilla, ka plot në botë, çështja është çfarë bën një shoqëri për të frenuar persona të tillë.
Çfarë bën policia, institucionet e shtetit që përgjigjen për rendin, çfarë bën shoqëria? Të gjitha këto duket se nuk kanë funksionuar ku e keqja bashkëpunon për të prodhuar ngjarje të këtyre përmasave.
Si fillim përgjegjësia kryesore bie mbi policinë, duket sikur policia nuk ka çfarë të bëjë. Ky njeri ishte me precedent penal, i akuzuar më parë për vjedhje, madje dhe ishte denoncuar për armbëmajtje pa leje. Me sa kam parë dhe nga kronikat, njerëz të afërm thoshnin, që kur dëgjuan krisma nuk u shqetësuan,sepse menduan se është diçka normale, sepse ai shpesh herë gjuante në ajër.
Dhe një njeri me precedent penal, një njeri në konflikt me njerëzit, një njeri që njihej si agresiv, si ka mundësi që mban armë në shtëpi dhe policia nuk ka arritur ta kapin”, është shprehur ai.
Sociologu është shprehur se e gjithë kjo është puna e policisë dhe ajo duhet të punojë për të zbardhur se ku i gjejnë këto armë këta njerëz.
“Si ndodh që policia nuk mund ta gjejë këtë informacion për këta persona të cilët kanë armë në shtëpitë e tyre? Padyshim është policia ajo që e toleron këtë gjë, në mos policia, hallkat e ndryshme të saj. Por problemi më i madh është që në këtë vend gjithmonë bëhet një sy qorr dhe një vesh shurdh. Dukshëm qe nuk kemi vetëm persona por rrjete të cilat lehtësojnë krimin dhe përhapjen e tij. Nuk mund të nodhin këto ngjarje nëse ka shtet për të vendosur dhe zbatuar ligje”, është shprehur sociologu Mertiri.
(E.V/ Faxweb.al)
Discussion about this post