Nga Artan Fuga
Një sqarim, i pari dhe i fundit! Për mospërputhjen e plotë mes bindjeve të mia dhe sistemit zgjedhor të sotëm që pengon qytetarin të votojë unë mbështetem te studimet e mia botuar te libri SHOQËRIA PIRAMIDALE.
Ky sistem është kanceri i Shqipërisë së sotme, është burimi i të gjithë të këqijave. Vjedhja e votave, vendosja kryetarë bashkish lloj lloj të inkriminuarish, PPP, tenderat vjedhacake, deputetë pa mandat, etj., nuk janë asgjë përpara kësaj mënyre votimi dhe zgjedhjesh deputetësh që përbëjnë aktin politik korruptiv themelor që korrupton gjithë shtetin. Kurrë shqiptari nuk ka qenë kaq i rrezikuar sa nga çfarë është nga ky Kod Zgjedhor.
Unë ftoj të gjithë ata që kërkojnë të bisedojnë me mua këtu lidhur me këtë problem, që kjo gjë, me gjithë respektin tim, është e pamundur të ezaurohet këtu.
Kush dëshiron ta njohi këtë problem të plotë, ta kuptojë dhe të më kuptojë, duhet t’i referohet librit të cituar më lart.
Nuk kam asgjë më shumë se çfarë kam thënë atje, as nuk i heq asnjë fjali. E kam shkruar me mendje të ftohtë e sinqerisht për qytetarin. Jo për militantët fanatikë. As për ata që nga shoqëria vertikale, pavarësisht kush e qeveris atë, përfitojnë privilegje pa meritë.
Ka të korruptuar në pushtet, por ka edhe në opozitë që mezi presin të korruptohen. Nuk ka pyll pa derra.
Unë uroj që partitë politike sidomos opozita të mos pajtohet duke mos u dorëzuar përpara sistemit të sotëm zgjedhor që e tall, poshtëron, e përdhos qytetarin.
Gjithsesi me trishtim shoh që edhe individë që prej dekade kanë ndjekur shkrimet e mia kritike ndaj të qeverisurit, besoj nuk kam zhgënjyer, kanë tre ditë, pas qëndrimit tim sinqerisht kritik ndaj sistemit të sotëm zgjedhor, që edhe opozita dikur e ka kritikuar, kërkojnë të ushtrojnë presion, të më intimidojnë, për të hequr dorë nga qëndrimet e mia.
Nuk shprehin mendime, por bërtasin politikisht për të shërbyer si investim i urryer për ndonjë post kapterri më vonë kur tua bëjë mbarë Zoti.
Kanë ngatërruar adresë, nuk më njohin ndonëse një pjesë edhe miq virtualë, më ngatërrojnë me ndonjë tjetër.
O zonja dhe zotërinj, unë nuk jam militant, as anëtar partie, as pres përfitime, dhe as kam marrë përfitime nga asnjëparti, aq më pak nga qeveria e sotme që nuk ka lënë rast pa më pickuar e goditur. Hallall i qoftë!
Mua nuk më interesojnë fare partitë. Më intereson vetëm qytetari. Ai është pushteti, ai është opozita, ai është Zoti. Ne pra.
Nëse ka skllevër që dorëzojnë të drejtat e tyre, janë të mjerë, ata sapo nuk marrin privilegje kafshojnë dorën e atyre që u kanë dhënë krodhën e bukës. Unë as tradhtoj, as braktis, por as servilosem.
Ideali im nuk është politika. Politika është thjesht një mjet. Por ato që vërtetohen nga studimet dhe kërkimet shkencore nuk mund të mbulohen me sharje, presione.
Dhe me censurë të egër. Të shëmtuar. Po, po, të egër! Mjerisht. Ju lumtë dora! Unë vazhdoj gjithnjë i njëjti. Ndonëse shumë i zhgënjyer.