Fushë Kruja u trondit mbrëmjen e së shtunës nga një atentat me armë. Një grua humbi jetën ndërsa i plagosur mbeti nipi i saj. Viktima është Shpresa Basha, 50-vjeçe dhe i plagosur është 28-vjeçari Mariglen Haka.
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:00 në oborrin e banesës së të riut, i cili dyshohet se ka qenë në shënjestër të atentatit. Ndaj tyre u qëllua me breshëri armësh nga persona të paidentifikuar. Të dy hallë e nip mbërritën të plagosur në spitalin, por gruaja nuk u mbijetoi dot plagëve të marra.
Për këtë ngjarje gazetari Artan Hoxha ka dhënë detaje. Sipas tij në banesën e tij në Nikël, nuk është e lehtë të futesh. Madje sipas gazetari dhe ai vetë kur shkon merr leje.
Sa i përket ekzekutimit, gazetari tha se janë qëlluar nga tre armë dhe me plumba blindëshpues.
“Banesa e Hakas në Nikël është një vilë e re luksoze, ka një rrethim me murr. Dera e jashtme është me hekur, dyshoj se një nga armët ka qenë më plumba blindëshpues, sa plumbi ka goditur derën brenda të shtëpisë.
Në atë zonë nuk është kollaj të afrohesh, janë tre autorë që iu janë afruar dhe kanë qëlluar. Problemi është se si janë afruar, ai ka patur informacion që ka lëvizje në zonë. Unë kur shkoj atje marr leje, sepse atje nuk hyn dot pa marrë leje. Ke të bësh me një zonë që shumica e ekzekutorëve vijnë nga aty.”, tha gazetari Hoxha.
Nga ana tjetër Ermal Vija, gazetar në Tv Klan tha se vrasja mund të jetë kryer nga persona që e njohin mirë zonën, ose mund të jenë kamufluar.
“Ka dyshime që kanë qenë dy persona. Ai është i njohur për autoritetet. Është dënuar për armëmbajtje pa leje. Është dyshuar dhe në vitin 2011 për një atentat në kryeqytet, por më pas është liruar. Janë gjetur më shumë se 100 gëzhoja në vendngjarje. Policia ka shoqëruar shumë persona, mund të jetë kryer nga persona që e njohin mirë zonën, ose mund të jenë kamufluar. Është shumë zonë e vështirë”./ Opinion.al