Debati në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar socialist është shoqëruar me debate të shumta. Një ndër debatet ishte dhe fakti që LSI-së iu la një vend në komisionet për Vettingun dhe Braçe ishte i pari që vinte në pikëpyetje vijimin e aleancës.
Nga ana tjetër debat ka nxitur edhe projektligji i ardhur nga ministria që drejtohet nga Sokol Dervishaj i LSI-së, ku për një rrugë 4 km në Ibë janë kërkuar 35 milionë dollarë. “Nga gjenden gjithë këto lekë, kur neve nuk na jepen për investime në zonat tona”, – mësohet të jetë shprehur Lutaj, sipas të cilit, “janë dhjetëra rrugë të cilat i kemi premtuar e nuk i kemi bërë, na doli boja para njerëzve”.
Erjon Braçe kërkoi shpjegime nga ministri i Financave se si lejohet ratifikimi i një marrëveshjeje të tillë për t’u harxhuar para për një projekt që duhej të ishte bërë nga qeveria e mëparshme “Berisha”. Por ka qenë ministri Ahmetaj i cili ka thënë se ministria që drejton nuk ka kompetencë të hetojë në projekt, por vetëm të vlerësojë nëse i ka këto burime financiare.
Më pas, kreu i grupit parlamentar, Gramoz Ruçi ka kërkuar që diskutimi të mbyllet. Edhe deputeti Xhemal Qefalia, njësoj si Lutaj, u shpreh: “Janë 35 milionë euro për 4 kilometra autostradë. Kjo nuk ka logjikë. Kjo ia bën muu. As në kohën e Berishës nuk janë bërë të tilla gjëra. Na vjen turp të dalim përpara njerëzve”. Ruçi kërkoi nga ministrat që të sjellin në kohë projektligjet dhe të mos kërkojnë që ata të kalojnë me procedurë të përshpejtuar.
Diskutimet në grupin e PS Komisionet
Pirro Lutaj: Në Komisionin e Ligjeve, nga Ministria e Transporteve erdhi një projektligj absurd, ku përcaktohet të shpenzohen 35 milionë euro për 4 kilometra rrugë. Nga gjenden gjithë këto lekë, kur ne nuk na jepen për investime në zonat tona?! Janë dhjetëra rrugë të cilat i kemi premtuar e nuk i kemi bërë, na doli boja para njerëzve.
Erjon Braçe: Përse Ministria e Financave e lejon ratifikimin e një marrëveshjeje të tillë, pasi kjo rrugë do të duhej të ishte bërë nga qeveria “Berisha”. Dhe, me gjithë këtë shpenzim të madh, thuhet se ajo mund të rrëshqasë përsëri.
Arben Ahmetaj: Nuk është përgjegjësi e Ministrisë së Financave, pasi puna e saj është vetëm të vlerësojë i ka apo jo aq para për të financuar. Nuk mund të merremi me projektin.
Gramoz Ruçi: Atëherë e mbyllim këtë diskutim.
Xhemal Qefalia: Po si ta mbyllim! Nuk është sqaruar asgjë. As në kohën e Berishës nuk janë bërë të tilla gjëra. Na vjen turp të dalim përpara njerëzve.
Taulant Balla: Kjo çështje duhet diskutuar në komision. (E.K/SHUPLAKA)