Menjehërë pas përfundimit të mbledhjes së përbashkët të përfaqësuesve të partive në Këshillin Politik për Reformën Zgjedhore, kanë folur edhe përfaqësuesja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari dhe ai i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi.
Hajdari deklaroi se takimet do të jenë të shpeshta në vijim sepse puna për reformën zgjedhore është intensive. “Duhet të jetë një produkt final sa më gjithëpërfshirës. Për ne është e rëndësishme që të arrijmë një konseus. Palët kanë filluar të flasin për ndryshimin e sistemit që kërkon kohë dhe nuk është përjashtuar nga tavolina. Është një gjë për t’u parë. E rëndësishme është fakti që ne duhet të kemi një produkt të dakordësuar nga të gjtiha palët”, tha ndër të tjera Rudina Hajdari.
Ndërkohë Bylykbashi ka deklaruar edhe një herë se duhet të respektohen rekomandimet e OSBE-ODHIR. “Pikat kryesore të diskutimit për reformën zgjedhore janë manipulimi i listave, cënimi i sekretit të votës, presionit të zgjedhësve, blerjes së votave, përfshirjes së personave me precedent penal në procesin zgjedhor etj. Këto janë disa nga çështjes duke mos përjashtuar asnjë tjetër nga ana tjetër gjithç duhet bërë bazuar tek rekomandimet e OSBE-ODHIR-it. Unë nuk kam çfarë shtoj asgjë nga ajo çfarë është dakordësuar në atë çfarë ne kemi firmosur në atë tryezë, të cilën Kuvendi i Shqipërisë duhet ta miratojë pa humbur kohë”, tha Oerd Bylykbashi.
Bashkëkryetari i Komisionit Parlamentar të Reformës Zgjedhore, njëherësh përfaqësuesi i mazhorancë, Damian Gjiknuri, është pyetur në lidhje me qëndrimet që kanë mbajtur shumë aktorë në vend për ndryshimin e sistemit zgjedhor, diçka të cilën as nuk e ka pohuar por as nuk e ka përjashtuar si mundësi.
“Jam i lumtur që Partia Socialiste dhe Partia Demokratike ulen në të njëjtën tryezë. Kërkojmë që nga e hëna të fillojë puna për dy muaj. PD ka bërë një kthesë të madhe në qëndrimet e saj politike. Një pjesë të të drejtave dhe propozimeve do ti ketë opozita jashtëparlamentare. Ditën e hënë Komisioni i Reformës Zgjedhore do ti kërkoj mbështetje OSBE-ODHIR- që të ofrojë ekspertët e saj. Kjo është një tavolinë formale, dhe roli tashmë ju mbetet përfaqësuesve të opozitës dhe Komisionit të Reformës Zgjedhore. Secila palë vendos prioritetet e veta, e kemi thënë edhe më herët që prioritet është çështja e miratimit të ndryshimeve në procesin zgjedhor, por nuk përjashtohet edhe mundësia e ndryshimit të sistemit zgjedhor nëse palët bien dakort apo gjejnë konsensus”, tha Gjiknuri në përfundim të mbledhjes së Këshillit Politik.
(F.GJ/FAXWEB.AL)
Discussion about this post