Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi ka reaguar lidhur me nismën e Partrisë Socialiste për hartimin e një strategjie të re kundër nismave të kreut të shtetit.
Në një postim në Facebook, Blushi shkruan se idea e PS-së është gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës.
Blushi shton me ironi se si Presidenti mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e LanaKushtetutës nga gjysmëparlamenti i oligarkëve, bandave dhe ambasadorëve të gishtit.
Postimi i plotë:
Të dashur kolegë gazetarë!
Ju kërkoj ndjesë për reagimin e vonuar pas insistimit tuaj për një koment lidhur me sihariqin që i ka dhënë mbrëmë Tao Tao mbarë vendit tonë, se Parlamenti jokushtetues, paska vendosur që t’i rrëmbejë kompetencat kushtetuese Presidentit të Republikës, të vetmit institucion plotësisht legjitim e demokratik në vend.
Kjo është një ide gjeniale për të përshpejtuar Ramaformën dhe instaluar Drejtësinë e Re të betimeve buzë Lanës, të pastër e të kulluar si vetë uji i Lanës.
Po Presidenti çdo bëjë më pyesni ju? Si mund të mos marrë pjesë në inaugurimin e LanaKushtetutës nga gjysmëparlamenti i oligarkëve, bandave dhe ambasadorëve të gishtit!
Sigurisht që atë ditë Presidenti do të jetë vetë atje, i pari, me të gjithë popullin shqiptar!