Kryeministri Edi Rama gjatë një fjalimi për qytetarët e Dibrës ka premtuar se që nga sot do të fillojë ndërtimi i Rrugës së Arbrit.
Rama u shpreh se rruga e Arbrit është një çështje drejtësie, e historisë dhe njerëzore, ndaj një populli të tërë të kyçur në izolim prej shumë dekadash.
“Nuk do jetë më një iluzion rruga e Arbrit, do të jetë një realitet. Prej sot Dibra fillon rrugën, pjesën e fundit të një rrugëtimi, për tu bërë një copë kraharori për Shqipërinë. Po pse vallë një copë rrugë ka ngritur kaq tallaze e kaq pikëpyetje, do thoshte dikush? Pse rruga e Arbrit na qenka një çështje kombëtare? Sepse rruga e Arbrit është një çështje drejtësie, e historisë dhe njerëzore, ndaj një populli të tërë të kyçur në izolim prej shumë dekadash”, tha Rama.
Rama u shpreh se PD nuk i ofroi Dibrës asgjë, përveç çorbës bajate të politikës.
“I vetmi realitet deri më sot kanë qenë shpërdorimet që lanë pas rrugë të lëna rrugëve dhe një mal borxhesh. Le të bëjmë ca hesape që duhet ti dëgjojnë edhe ata që pyesin pse zgjati kaq shumë nga zotimi te realizimi ky projekt strategjik. Kur morëm mandatin, ne na u desh të pagunim 5 kontrata me vlerë 2.9 miliardë lekë për ta hapur rrugën e Dibrës si skenë për daulle dhe shirita. E njëjta situatë ishte në të gjithë Shqipërinë. E dini sa ishin detyrimet e programit transport rrugor në fund të 2013? 43 miliardë lekë të reja, që ne u detyruam katër vjet ti shlyejmë një për një”.
(M.Q/Faxweb)