Tërmeti e dëmtoi në shkallën DS3, por amortizimi i mëtejshëm gjatë këtyre 4 viteve që pret t’i nënshtrohet rikonstruksionit e ka dëmtuar shumë më tepër pallatin nr.15, në lagjen nr.12 në Durrës.
Vjedhja që i kanë bërë hajdutët, kanë krijuar këtë pamje mjerane që ofron sot godina shumëkatëshe.
Ndërkohë 65 familjet këmbëngulin të futen në apartamente, duke rrezikuar edhe jetën, sepse janë të lodhur nga premtimet institucionale.
Prej 7 muajsh nuk marrin bonusin, gjë që e ka vështirësuar së tepërmi situatën ekonomike të tyre. Ndërkohë ping pongu institucional po u heq shpresat se pallati i tyre do t’i nënshtrohet rikonstruksionit për të riparuar dëmet e tërmetit të 26 nëntorit 2019.
Pallati 11 katësh është aktualisht një nga godinat, që dëshmon dëmet shkatërrimtare që shkaktoi tërmeti i fund nëntorit të 4 viteve më parë.
Bashkia e Durrësit, në rrugë zyrtare, bën të ditur se janë në pritje të akordimit të fondit nga Ministria e Infrastrukturës, për të zhvilluar më pas tenderin, që do t’i hapte rrugë nisjes së rikonstruksionit të godinës.
Pavarësisht protestave të vazhdueshme të 65 familjeve, kjo e sotmja nuk pritet të jetë protesta e fundit.