Pas ngjarjes së rëndë në Korçë, ku babai vari dy fëmijët e tij dhe më pas edhe veten dhe pas ngjarjes tjetër në Fier, ku bashkëshorti hodhi nga dritarja bashkëshorten e tij, ka ardhur edhe reagimi id eputetes demokrate, Jorida Tabaku.
Sipas Tabakut, gratë duhet të jenë të pavarura ekonomikisht, vetëm kështu mund t’ia dalin në jetë.
Postimi i plotë i Jorida Tabaku –
Fol në emër të atyre që nuk flasin dot, për të drejtat e atyre që janë të pamundur.
Proverbi 31:8
Tragjikja në këto ngjarje që kanë ndodhur gjatë këtij viti e që flasin për vrasjen, plagosjen, rrahjen apo edhe vetëvrasjen e më të dobëtëve, lidhet me trishtimin kolektiv që zgjat veç disa ditë.
Pështirosja nga kjo dhunë që po kumbon sistematikisht brenda shoqërisë sonë është shumë e pakët e për rrjedhojë nuk shërben asnjëherë si një reflektim i joni ndaj asaj që ka ndodhur dhe se si mund të parandalohej. Shumëkush kujtohet kur ndodh një rast i tillë, e zhurma mediatike, momenti, ngjarjet e ndodhitë e përditshme e mbulojnë.
Gjendemi përherë përballë të njëjtave pyetje që asnjëherë nuk marrin një përgjigje dhe shoqëria prodhon një rebus për të cilin përgjegjësi kryesore marrin institucionet shtetërore por që peshë jo të vogël ka edhe vetë shoqëria.
Një shoqëri që prodhon të njëjtin ritual të dhunës dhe njëkohësisht edhe të revoltës momentale ndaj saj, ku gjithçka mbyllet aty pa u tejçuar as në forcën parandaluese të shtetit edhe as në goditjen e secilit prej nesh ndaj veprimit.
Një formë e tillë reagimi nuk prodhon asnjë hap përpara dhe asnjë veprim ndërgjegjësuese nga institucionet qeverisëse që duket edhe sot do luajnë ngecjen e problemit tek tjetri që nuk i përfaqëson ato në zinxhirin institucional. Se ky shtet ka meritë për gjithçka, por përgjegjësi për asgjë. Ky shtet mund të rrisë taksat, të ulë ndihmën ekonomike, të heqë nga puna, por për jetën e individit nuk mban përgjegjësi.
Historia është e mbushur me situata diskriminuese, persekutime të padrejta dhe padrejtësi të mëdha me të cilat njeriu është përballur dhe me gjasë do të përballet, por nuk duhet të jetë kjo një arsye që fatalizmi të na kaplojë. Demokracia, është e vetmja formë qeverisëse që deri më tani i ka dhënë mundësinë shoqërive të ndryshojnë rrjedhën e ngjarjeve duke shndërruar të pamenduarën në të mundshme.
Duhet të jemi të gjithë të bashkuar në qëllimin parësor për t’i kujtuar çdokujt dhe mbi të gjitha institucioneve shtetërore se jeta e gjithsecilit prej nesh është e shenjtë dhe se çdokush nga ne ka dinjitet. Vetëm kështu ne mund t’ia dalim dhe vetëm në këtë mënyrë ne do t’ia dalim.
Sot nuk është koha për t’u frikësuar dhe as për të shfryrë mllefin tonë që rëndom ka zgjatur disa ditë. Ne e dimë që diçka po shkon shumë keq në vendin tonë, por kjo nuk duhet të na dëshpërojë deri në pikën që të mos kemi besim se mund të ndryshohet. Ne duhet të mblidhemi se bashku për ta çrrënjosur këtë dhunë që vjen nga brenda shoqërisë sonë dhe mbi të gjitha për të tërhequr veshin të gjitha institucioneve shtetërore që lajnë duart si Ponc Pilati.
Mund t’ia dalim të krijojmë një shoqëri me shanse edhe dinjitet për të gjithë së bashku dhe një qeveri e një shtet që nuk përpiqet të heqë njollat e turpit për një krim në të cilin është fajtor. Vetëm duke u ndërgjegjësuar për veprimet tona si bashkësi mundet të prodhojmë politika që nuk do të shtyjnë jo vetëm këto krime të tmerrshme por as sakrifica vetëmohuese si ato të ndodhura në Korçë, Fier apo Vlorë.
E kam thënë dhe e përsëris, unë e shikoj çdo gjë të lidhur me mundësitë ekonomike. Mundësi ekonomike të grave që dhunohen, mundësi ekonomike për të përballuar jetën të vetme, mundësi pavarësimi! Vetëm kështu ne mund t’ia dalim!