Është goditur në Durrës një grup që merrej me përpunimin dhe ambalazhimin e marijuanës brenda një banese. Gjatë kontrollit të ushtruar janë gjetur dhe sekuestruar 2.2 kg marijuanë dhe boçe kanabis.
Janë vënë në pranga tre shtetas, banues në Plazh, Durrës. Gjatë kontrollit u gjetën dy pako të mbështjella me qese plasmasi, me peshë rreth 2.2 kg të mbushura më lëndë narkotike e dyshuar e llojit Marjuanë, disa qese të mbushura me lëndë narkotike e dyshuar e llojit Marjuanë, gati për t’u hedhur në treg dhe 206 qese boshe, që shërbenin për ambalazhimin e lëndës narkotike.
Detaje të Policisë së Durrësit:
Goditet grupi që përpunonin dhe ambalazhonin Marjuanë në banesë, me qëllim tregtimi.
Sekuestrohen 2.2 kg Marjuanë dhe boçe Cannabis Sattiva.
Arrestohen në flagrancë tre shtetas.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative dhe pas një pune hetimore të mirëorganizuar, mbrëmjen e djeshme kanë goditur grupin, të cilët në banesë përpunonin dhe ambalazhonin lëndë narkotike Marjuanë, me qëllim tregtimin e saj.
Janë arrestuar në flagrancë shtetasit:
- Hermes Kalemi 22 vjeç, banues në Plazh, Durrës;
- Saimir Sula 24 vjeç, banues në Plazh, Durrës.
- Enriko Driza 20 vjeç, banues në Plazh, Durrës.
Arrestimi I tyre u bë pasi:
Shtetasit e mësipërm, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në lagjen Nr. 13 , Durrës kishin marrë me qira një banesë, ku edhe ushtronin aktivitetin kriminal.
Në banesë përpunonin dhe ambalazhonin lëndë narkotike me qëllim të tregtimin e saj, kundrejt pagesës prej 1 000 lekë të reja / një qese e ambalazhuar.
Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e mësipërme, Specialistët për Narkotikët gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provave materiale:
- dy pako të mbështjella me qese plasmasi, me peshë rreth 2.2 kg të mbushura më lëndë narkotike e dyshuar e llojit Marjuanë;
- disa qese të mbushura me lëndë narkotike e dyshuar e llojit Marjuanë, gati për t’u hedhur në treg, dhe
- 206 qese boshe, që shërbenin për ambalazhimin e lëndës narkotike.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit Hernes Kalemi u gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale lëndë narkotike në formë “boçe” e dyshuar e llojit Cannabis Sativa.
Materialet I kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” në bashkëpunim parashikuar në nenin 283/2 të Kodit Penal.
(XH.A/SHUPLAKA)