Bashkia e Tiranës po punon për përmbushjen e standardeve dhe krijimin e kushteve për Personat me Aftësi të Kufizuara. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh sot se Tirana ka potencialin për t’u bërë model i përmbushjes së standardeve të aksesueshmërisë për personat me aftësi të kufizuara, duke shërbyer si shembull pozitiv për qytetet e tjera në të gjithë Shqipërinë.
Ai ishte i pranishëm në aktivitetin me temë “Të ndryshëm, por të barabartë” të organizuar nga World Vision dhe Nehemiah Gateway, nën kujdesin e Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Mirëqenies Sociale e Rinisë.
Kryebashkiaku theksoi se për herë të parë, në pesë kopshte të Tiranës janë krijuar hapësira të veçanta të dedikuara për fëmijët me aftësi të kufizuara, projekt që po shtrihet edhe në çerdhe dhe në kopshtet e tjera të kryeqyteit. “Bashkia ka pasur në fokus fëmijët.
Për herë të parë kemi dalë nga logjika e të menduarit për zgjedhjet e ardhshme, por kemi futur logjikën e të menduarit për gjeneratën e ardhshme dhe kjo është arsyeja pse viti i parë ka qenë një vit ku u fokusuam në kopshte dhe në çerdhe, në rehabilitimin e plotë të tyre. Për herë të parë në 5 kopshte të Tiranës kemi hapësira dhe mësues të veçantë për fëmijët me aftësi të kufizuara, kryesisht me Sindromën Down apo autikë, të cilët kanë një kujdes special, por në çerdhe dhe në kopshte me gjithë të tjerët”, tha Veliaj.
Ai solli në vëmendje edhe rikonstruksionin e shkollës speciale “Luigj Gurakuqi”, hapësirat e së cilës u çliruan nga ndërtimet pa leje. “Në vizionin tonë, shkolla duhet të jetë një qendër burimore, e cila trajnon mësuesit të cilët më pas kalojnë në të gjitha shkollat e tjera.
Grupimi i fëmijëve në një shkollë speciale të stigmatizuar nuk është mënyra moderne për të ecur përpara, ndaj dhe shumë shpejt shkolla do të transformohet nga një shkollë e përqendruar për nevoja speciale, në një shkollë që kryesisht trajnon mësues, të cilët emërohen në të gjithë shkollat e rregullta të sistemit tonë arsimor, për të ofruar një shërbim të posaçëm”, tha ai, ndërsa kërkoi edhe bashkëpunimin e prindërve.
Veliaj shtoi se për herë të parë, Bashkia e Tiranës ka nisur punën për të përshtatur edhe këndet e lodrave për fëmijët me aftësi të kufizuara në mënyrë që ata të kenë të njëjtin akses jo vetëm në klasë, por edhe mjediset e dedikuara për argëtim.
Veliaj tha se po punohet që të krijohen lehtësi për aksesin e personave me aftësi të kufizuara në godinat ekzistuese, ndërkohë që është bërë i detyrueshëm që çdo godinë e re të garantojë akses të plotë. “Kemi filluar të garantojmë aksesin në godinat ekzistuese në Tiranë. Është bërë i detyrueshëm që çdo ndërtim i ri në Tiranë nga tani e tutje, të garantojë aksesin e plotë për personat me aftësi të kufizuara. Bashkia do të bëhet e aksesueshme, ndërsa investojmë në një qytet që bëhet gjithmonë e më i aksesueshëm”, tha ai.
Ndërkaq, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë masash lehtësuese edhe në fushën e transportit dhe infrastrukturës, në mbështetje të PAK. “Në fillim të këtij viti nisëm reformën e transportit publik. Kaluam nga 200 në 290 mjete flotë, rehabilituam 377 stacione autobusësh dhe më vjen mirë që të gjitha mjetet e reja që janë shtuar në Tiranë, janë të aksesueshme nga karriget me rrota dhe personat me aftësi të kufizuar. Vendosja e këtyre rregullave për herë të parë në sistemin e transportit publik të qytetit, besoj ka qenë një shenjë emancipuese dhe uroj që edhe bashkitë e tjera të ndjekin modelin e Tiranës, për ta vendosur në mes shumë kritereve”, u shpreh Veliaj.
Gjithashtu, Bashkia e Tiranës ka nisur vendosjen e sinjaleve akustike në nyjet kryesore me semaforë, si dhe është duke punuar për ndërtimin e rampave. “Kemi nisur një garë për të pajisur çdo nyje semaforike. Deri më sot janë 16 nyje semaforike me sinjale akustike apo edhe rrugët me vijat e drejtimit për personat që nuk shikojnë, si një mënyrë për t’u ofruar edhe atyre akses.
Beteja tjetër do të jetë me emancipimin e qytetarëve, për të respektuar dikë që udhëton në qytet me shkopin e bardhë apo që ka nevojë të ketë akses në rrugët tona tejet të ngarkuara. Për herë të parë kemi filluar aplikimin e rampave në trotuaret ekzistues dhe ky është trashmë një standard për të gjitha rrugët e reja që bëhen nga tani e tutje në Tiranë. Kemi vendosur disa standarde që po respektohen dhe po modifikojnë rrugët ekzistuese në Tiranë”, tha Veliaj, ndërsa garantoi krijimin e vendeve të parkimit të dedikuara për personat me aftësi të kufizuara, projekt ky që do të shtrihet në 400 rrugë të reja.
Një tjetër çështje ku u ndal Kryetari i Bashkisë, ishte dhe çështja e punësimit. Veliaj deklaroi se Bashkia e Tiranës synon promovimin e jetesës së pavarur nëpërmjet aftësimit për jetën dhe aftësimit për punësim, përmes pjesëmarrjes së tyre në programet e nxitjes së punësimit, programe që u mundësojnë të rinjve të fitojnë përvojë profesionale në sektor