Edhe pse artisti Pirro Mani prej dhjetë vitesh ndodhet në Amerikë, dikush në Shqipëri ka menduar që ta përzjejë dhe në çështjen e prishjes së godinës së Teatrit Kombëtar.
Ditën e djeshme në një letër që 65 artistë i kishin nisur krerëve më të lartë të shtetit, emri i tij renditej i pari në listën e atyre që kërkonin një godinë të re për teatrin.
Një lajm ky aspak i vërtetë sipas bashkëshortes së tij Pavlina Mani. Në një komunikim që ajo ka pasur me gazetën Shekulli, është shprehur se është plotësisht e pamundur që kjo të ndodhë pasi Pirro prej 10-vitesh nuk ka lëvizur nga Amerika.
‘’Përderisa në këtë punë paska futur hundët politika, ne nuk prononcohemi për asgjë. Pirro Mani ka rreth dhjetë vjet që nuk ka lëvizur nga Amerika, e çfarë firme mund të ketë venë ai, në qoftë se ai është këtu në Amerikë.
Lëreni të qetë se është në fund të viteve të jetës së vet, është i sëmurë. Ne nuk merremi me këto gjëra, dhe në plan të parë nuk është fare çështja te ndërtimi i Teatrit, atje bëhet luftë politike dhe ne jemi kundër politikës, me asnjë parti nuk jemi. Si Pirro, si unë! Ne jemi astistë, nuk jemi politikanë.
Ne nuk jemi as për prishjen e Teatrit. Ne jemi për Teatër, të ekzistojë teatri të ekzistojë edhe një teatër i ri, një godinë e re, të ekzistojnë 2- 3 teatro për Tiranën, se e meriton ai vend keto tetro siç i ka gjithe bota”, shprehet Mani.
Në të gjithë këtë histori kujt i shërbente falsifikimi i firmës së Pirro Manit, dhe renditja me domosdoshmëri e tij nga ana e Veliajt dhe qeverisë?
(E.K/FAXWEB.AL)