Kryeministri Edi Rama nga mbledhja e jashtëzakonshme e qeverisë mëngjesin e sotëm i është përgjigjur propozimit të bërë një ditë më parë nga kryedemokrati Lulzim Basha, lidhur me atë që duhet të bëhet në kushtet e emergjencës për zonat dhe banorët e goditur rëndë nga tërmeti.
“Për fat të keq opozita që pretendon të qeverisë vendin, jo vetëm nuk ka pranuar ende të ulet në tryezë për të diskutuar gjërat, ne jemi gati, e në rast se idetë e tyre janë më të mira do marrim të tyret se këtu nuk është situatë që të grindemi se kush e ka idenë më të bukur, këtu duhet te bëhet me e mira për njerëzit. Por deri tani jemi njohur me tre pika që do të qenkëshin zgjidhja dhe është një komponent i ekranit të madh të ngjarjes ku fillon dita duke qarë e vazhdon duke qeshur, e kthehet duke u pezmatuar pastaj duke buzëqeshur, gajasur e duke qarë prapë dhe këto tre pika janë absolutisht një ushqim për buzëqeshjen se nuk dua të them gajasjen se nuk dua të ndjehen keq kolegët e opozitës, por të thuash që të mblidhen 500 inxhinierë pika e parë, tani pse jo 600, pse jo 450. Pika e dytë, të bëhet identifikim i dëmeve, por po bëhet, kjo ka qenë gjëja e parë, kemi ngritur në këmbë dynjanë dhe është bërë Durrësi sikur është lagjja para OKB ku sheh të gjitha llojet e racave dhe gjuhëve. Pastaj pika e tretë është qamet, të mos financohen oligarkët, dmth vazhdon loja, dhe 150 mln që do marrin oligarkët ti marrë populli, po ca janë këto para që u dashka ti spostojmë nga këto, dmth të ndalojmë kontrollin shëndetësor bazë falas”– tha Rama.
Në fund, përsëriti ftesën për Bashën dhe opozitën për të qenë pjesë e një tryeze të përbashkët. “Unë i mirëkuptoj, kanë edhe ata probleme nga tërmeti, por i përsëris ftesën për të qenë bashkë në një tryezë”-tha ai.