I ftuar në emisionin “Arena” të Dritan Hilës, kreu i Kuvendit Ilir Meta, flet për planin prej 7 pikash të propozuar nga Shpëtim Idrizi para dy ditësh, si një zgjidhje për krizën politike.
“Më e rëndësishme se data është e rëndësishme që zgjedhjet të jenë të gjithëpranuara dhe të mbyllim këtë ciklin 27 vjeçar të zgjedhjeve.
E kemi vlerësuar këtë paketë të Z.Idrizi si mjaft pozitive, për vendosjen e një dialogu dhe të një substance për këtë dialog. Mendoj që ka qenë një veprim mjaft i përgjegjshëm dhe pozitv. Se mund të thuhet dua këtë, dua këtë por duhet të vendosim për çfarë mund të bëhet për këtë kohë. Kemi problemin e dekriminalizimit, apo probleme të tjera shqetësuese të kanabisit dhe drogës që nuk është vetëm çështje e përfolur por reale, shumë çështje që mund të ndotin, prekin situatën zgjedhore dhe parazgjedhore që gjithçka të moderohet në mënyrë sa më konstruktive.”, shprehet Meta.
Dy ditë më parë, kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi publikoi një plan me 7 pika si një mënyrë për të zgjidhur krizën politike në vend.
7 propozimet:
Kthimin e Opozitës në Parlament për miratimin e akteve ligjore, që do i hapnin rrugën zbatimit të reformës në drejtësi, përparimit të vendit në integrimin evropian dhe realizimin e disa ndryshimeve në kuadër të legjislacionit zgjedhor dhe masave të tjera, për të siguruar atmosferë të qetë dhe të besueshme, për zgjedhjet e 18 qershorit.
Garantimin e rolit të paanshëm në zgjedhje të Policisë së Shtetit.
Ndryshimin e sistemit zgjedhor në sistem proporcional me një zonë zgjedhore, për krijimin e mundësive reale për të garuar forcat politike jashtë koalicioneve.
Depolitizimin e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, ose rritjen e numrit të anëtarëve në komisionet e numërimit, me përfaqësues të partive parlamentare.
Krijimin e një grupi të posaçëm me urdhër administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm, krijimin e një “task force” prokurorësh të atashuar pranë KQZ-së, e cila ka për detyrë të hetojë në mënyrë urgjente të gjitha sinjalizimet për blerje vote, kërcënim, intimidim, etj. Gjithashtu edhe dërgimin e çështjeve të lidhura me cënimin e procesit zgjedhor brenda 24 orësh në gjykatë, duke ashpërsuar masat për “krimin elektoral”.
Ngarkimin e një strukture inxhinierike konsensuale që do të përgatisë në mënyrë urgjente një projekt teknik, për variantet e mundshme të realizimit të numërimit elektronik, apo edhe vlerësimin e mundësive të realizimit të votimit elektronik, nëse ai konsiderohet i sigurtë dhe i mundshëm në kohë, në një procedurë të miratuar në mënyrë konsensuale nga të gjitha partitë parlamentare.
Thirrjen e tryezës së partive politike parlamentare për fillimin e dialogut, me qëllim miratimin e një kandidature konsensuale si President të Republikës së Shqipërisë. (D.D/Shuplaka)