Ashtu sikurse kishte lajmëruar Sindikata e Burgjeve në Francë ka zhvilluar sot protestën në burgun ku humbi jetën i riu shqiptar Mentor Rexha. Sipas Sindikatës, burgjet janë të mbingarkuar, dhe ky faktor është ndër shkaktarët kryesorë të konflikteve të ashpra mes të burgosurve, ku nuk mungojnë edhe vrasjet.
Një shenjë proteste punonjësit e burgut kanë djegur pankarta para burgut, ditën e sotme. Aktualisht në qendrën ku humbi jetën Mentor Rexha mbahen të burgosur 367 persona, në një kohë që qendra e ka kapacitetin e pritjes deri në 227 persona. 37 të burgosur në këtë qendër flenë duke vendosur dyshekët në tokë.
Kujtojmë që Mentor Rexha, 36 vjeçari shqiptar nga Shkodra u gjet i vdekur në qelinë e tij në burgun e Poemeur në Lorient të Francës. Autoritetet thanë se ai kishte kryer vetëvrasje, ndërsa familjarët hedhin poshtë këtë version duke publikuar edhe foto nga trupi i tij, në të cilin duken qartë shenja dhune. Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët humbasin jetën në burgjet franceze, të cilat kanë patur të njëjtin version: Vetëvrasjen!
Në denoncimin e sindikatës, të publikuar dhe nga ëebsajti francez “Le Telegramme”, theksohet se të dënuarve u ndalohet të komunikojnë, nuk kanë privatësi, ka zënka të dhunshme mes tyre, pasiguri e përgjithshme dhe një përshkallëzim të tensioneve të brendshme.
Në qendër të shqetësimeve të sindikatës është siguria e personelit duke thënë se kushtet e punës janë përkeqësuar ndjeshëm. Madje për në datën 11 shkurt është parashikuar dhe një protestë e stafit para kësaj qendre burgimi.
Edhe drejtoresha e qendrës Katell Peton, e re në këtë post, ka pranuar se dy javët e fundit kushtet janë përkeqësuar ndjeshëm, dhe se mesatarja e prurjeve të reja është 50. Në janar të këtij viti kanë qenë 86 të burgosurit e rinj të vendosur në këtë qendër. Ajo pranoi se tensioni është shumë i lartë dhe mes stafit e personelit.