Kur nuk kanë kaluar ende shumë kohë nga ekzekutimi i bujshëm në Durrës, ku mbeti i vrarë Edison Harizaj dhe u plagos shoku i tij Genci Caca i cili ndërroi jetë më pas në spital, detaje të reja kanë dalë nga hetimi për ngjarjen.
Sipas hetuesve Edison Harizaj e kishte parandjerë që po ndiqej nga vrasësit. Gjithashtu është zbuluar dhe vendi ku “faqedjeguri” dhe shoku i tij darkuan para se të udhëtonin në drejtim të Vlorës.
Viktimat e atentatit në Durrës para se të vriteshin darkuan me disa shokë në një lokal në periferi të Tiranës. Edhe autorët e krimit besohet që janë nisur nga Tirana, kurse Durrësi u zgjodh si vend i përshtatshëm për ekzekutimin.
Janë provat më të reja të zbuluara nga grupi hetimor për ngjarjen e disa ditëve më parë në qytetin bregdetar, ku mbetën të vrarë i ashtuquajturi “faqedjeguri” Edision Harizaj dhe shoku i tij Genci Caca të dy nga Vlora.
Referuar dëshmive të personave të fundit me të cilët Harizaj është shoqëruar, një burim policor i tha ABC News, se ai kishte pikasur ndjekjen. “Il Padrino”, i njohur në Vlorë si person i rrezikshëm, është shprehur te një miku i tij. “Po më ndjekin, kam parandjenjë të keqe”.
Dhe në fakt mbi të dhe Cacën u zbrazën mbi 50 plumba dhe pse makina ishte gjysëm e blinduar. Ndërkohë policia ka siguruar një dëshmitar, i cili flet për disa autorë pjesëmarrës në krim.
Veç atyre që qëlluan makinën një tjetër makinë ka mbikëqyrur veprimet. Kur makinat e viktimave dhe e autorëve u futën në rrugën dytësore, një makinë e tretë. Ka qëndruar pak sekonda në anë të rrugës kryesore. Sapo është kryer ekzekutimi ajo ka lëvizur në drejtim të Plepave.
Në makinën e Harizajt i njohur edhe si shoku i Emiljano Shullazit, policia ka gjetur tre celularë, dy të Harizajt dhe një i Cacës. Të tre të koduar.
Edison Harizaj i njohur edhe si “padrino i Vlorës” u ekzekutua me breshëri armësh mesnatën e 7 nëntorit. Makina e përdorur nga autorët e krimit u gjet e djegur pranë varrezave të Shën Vlashit.
Edison Harizaj është hetuar nga policia dhe Prokuroria e Vlorës për disa ngjarje të rënda në këtë qytet përfshirë edhe zhdukjen e Albano Xhaferrit në qershor të këtij viti.
(B.H/Faxweb)