“Allegri do të qëndrojë edhe vitin tjetër!”. Ka mjaftuar kjo fjali e Andrea Agnellit, presidentit të Juventusit, që gazetarët italianë të mos merreshin më me dështimin e jashtëzakonshëm të klubit bardhezi që këtë sezon do të dalë me vetëm një Superkupë Italie dhe një titull, i teti radhazi (rekord absolut).
E megjithatë, tifozët e Juventusit, duke parë reagimet në rrjetet sociale, nuk janë aspak të kënaqur me titullin, sidomos pas ardhjes së Cristiano Ronaldos, në një vit që duhet të ishte ai i kapërcimit të madh dhe kthimit te një trofe që mungon prej plot 23 vjet.
Pikërisht kjo eufori e krijuar dhe e “amplifikuar” edhe më shumë nga kualifikimi me përmbysje ndaj Atletico Madridit, me tri golat e CR7, është kthyer në në dëshpërim. Festa e titullit do të duket njësoj si të festosh ditëlindjen një ditë pasi një familjar sapo ka humbur jetën…
Por, çfarë do të ndodhë sezonin tjetër? Agnelli përpiqet të hedhë hi syve, por e vërteta është krejt ndryshe: pritet të ketë afrime të bujshme në çdo rol. Duhen kampionë dhe vetëm me ato, Ronaldo do të ishte finalizuesi dhe ai që në ndeshjet e mëdha bën diferencën. Por, priten edhe të sakrifikuar. Megjithatë, çdo gjë nis nga ABC.
Kështu, duhet vendosur në lidhje me stolin. Allegri ka një kontratë deri në qershor të vitit 2020 dhe do të kërkojë një rritje rroge dhe rinovim edhe për një vit plus, pra 2021.
Sipas gazetarit dhe editorialistit, Enzo Buçhioni, që shkruan te “Tuttomercatoweb”, por edhe portale të tjera, vështirë që Agneli t’i rinovojë kontratën Allegrit dhe palët janë gati të ndahen.
Ka vetëm një problem: klubet që kërkonin Allegrin, Real Madrid dhe Manchester United, kanë gjetur trajner. Mbetet Bayern Munich dhe Chelsea, nëse largohet Sarri. Një ide mund të jetë edhe PSG, me Tuchel që mund të largohet.
Madje, sipas gazetarit që është pranë ambjentit bardhezi, Andrea Agnelli pas humbjes në Madrid ndaj Atleticos, i ka telefonuar Guardiolas, edhe pse ky i fundit do të vazhdojë projektin e tij te Manchester City. Ndërkohë, emri i vetëm quhet… Antonio Conte, i cili për momentin ende nuk ka marrë asnjë angazhim dhe po fiton kohë.
Pikërisht rikthimi i Contes, me të cilin nisi gjithçka, është ajo që Agnelli po provon. Edhe pse me Allegrin gjërat kanë shkuar më mirë në Europë, me ecuri më të mirë, presidenti i Juventusit beson se ishte koha kur Conte sa nisi një cikël dhe duhej të fitohej mentaliteti europian te futbollistët.
Ndërkohë, së fundmi, disa lojtarë janë me valixhe në duar. Mes tyre, Dybala, që me Ronaldon në ekip nuk do të qëndrojë, pasi ka humbur shkëlqimin. Sakrifica mund të jetë ai, përveç se Douglas Costa, apo Miralem Pjaniç. Megjithatë, deri tani, mbetemi ende në “zhanerin” e spekulimeve./Telesport
Discussion about this post