Nga Romeo Gurakuqi
T’u vidhesh kapërcimeve, në heshtje dhe djallëzi, dhe ta bësh kombin në Shqipërinë e vjetër të kalojë pa e ndier, nga Republika Parlamentare e paarrirë në një Republikë Socialiste me anë të dukurive të rreme kushtetuese, kjo është rruga pa krye që kanë zgjedhur udhëheqësit kryesorë të shumicës socialiste dhe integriste. Ata përmes: 1. Reformës së Drejtësisë së kontrolluar nga një ekip juristësh ish-hetues, që e kaluan ligjërisht kontrollin pushtetit gjyqë- sor në duart e shumicës njëngjyrëshe dhe Byrosë Parlamentare të një parlamenti tashmë monist; 2. Reformës Territoriale që i dha 2/ 3-at të peshës politike dhe administrative të vendit zonave të sigurta kooperativiste, tradicionalisht propuniste; 3. Reformës se sistemit të taksimit progresist, bazuar në filozofinë jakobiniste të shkatërrimit të klasave të mesme dhe të lirisë ekonomike; 4. Rivendosjes së kontrollit politik mbi Policinë e Shtetit; 5. Ndërtimit të një administrate publike, vendet e lira të së cilës kontrollohen në mënyrë rigoroze nga deputetet e zonave të sigurta përmes linjës së nëndheshme të emërimeve në DAP etj., etj., ndërtuan një strategji reformative të neveritshme që e ndriçon popullin dhe kombin me një dritë të rreme, e cila ka vyshkur parimet kushtetuese dhe e ka futur Shqipërinë në qilarin e errët të studios së piktorit, ose në dhomën e errët të qetësorit idhnak. Karta e ndryshueme e korrikut 2016, tashmë qartësisht po shërben si një maskë në të cilën gjenden gënjeshtrat e reformave, që kanë çekuilibruar sistemin institucional, kulturor dhe politik të Shqipërisë. Reforma e Sistemit të Drejtësisë, e cila erdhi si projekt idealist për ta pastruar elitën politike, legjislative dhe juridike të Shqipërisë, dhe për ta përgatitur vendin drejt integrimit. Mirëpo, në duart e kthetrat e ligë- sisë e injorancës së bijve të etërve të dhunës, reformat u shndërruan në instrumente juridike të prishjes së ardhmënisë në paqe, ligj e rend të vendit më të varfër të Europës. Shqipëria e sotme, pasi ka zbrazur nga të drejtat kushtetuese sovrane mbi dy milionë shqiptarë të nxjerrun në rrugët e botës, pasi kreu në regjimentimin e aktivitetit njerëzor të shoqërisë së traumatizuar shqiptare, po ecën tani pa drejtim, jashtë udhës europianizuese dhe perëndimizuese, pa respekt për Shqipërinë historike, atë të andrrës së disidencës së pushkatuar në vitet e terrorit të kuq; po ecën duke injoruar Shqipërinë djemve dhe vajzave të Shkodrës që rrëzuan Stalinin dhe shkatërruan ateizmin; përkundër aspiratave të studentëve të dhjetorit 1990, të rinisë së Tiranës që rrëzoi bustin e diktatorit më 20 shkurt 1991. Po ecën përkundër gjithë linjës së zhvillimit të një Shqipërie tradicionale, të themelueme mbi shqiptari, ndershmëri, liri dhe dije.
Vendi prej gati një muaji, tashmë pa dorashka dhe pa veshje, është shndërruar në një Republikë të kontrolluar pa droje, nga një binom i shpërvjelur nga PPSH, me një parlament monist (“Rump Parliament”), për shkak të bojkotimit përfundimtar të legjislaturës nga opozita. Qeveria është një mekanizëm bipolar johomogjen, antagonist dhe në konkurrencë joparimore mes vedit. Aktorët kryesorë në ekzekutivit, mbasi kanë shpartalluar pasurinë publike me një grykë- si të pangjashme për më se tri vite, tani por luftojnë brenda vetes në një ballafaqim hienash për kontrollin e Ministrisë së Punëve të Brendshme, themelore në kontrollin e parasë ilegale në qarkullim dhe procesit zgjedhor. Ata po përgatiten të përfundojnë sipas mënyrës së vet Reformën në Drejtësi, përkundër frymës së Kushtetutës së një Republike Parlamentare, përkundër mekanizmave kontrolluese dhe balancues; po përpiqen me anë të mekanizmave të forcës të krijojë një strukturim të ri politik, të rikonfiguruar brenda së majtës së prodhuar nga punizmi tradicional dhe Rilindja e kooperatizimit diktatorial, përmes llogorizimit enverist të shoqërisë së regjistruar shtëpi për shtëpi, lagje për lagje, qytete për qytet etj. Ata ndërkohë, udhëheqësia qeveritare, po përpiqet të ndalë procesin e dekriminalizimit dhe dekomunistizimit të politikës përkundër Akteve të Parlamentit që i ka aprovuar edhe vetë, duke emëruar pa shpjegim e transparencë publike në poste kyçe të ekzekutivit, të akuzuar si ithtarë dhe ushtrues dhunës diktatoriale mbi publikun para 1990. Këmbëngulja e qeverisjes së vjetruar për t’u bërë e amshuar dhe e rinovuar, në ditët e fundit të vet të pashmangshëm dhe të palavdishëm, i përngjet dashurisë së kufomave, që do të ktheheshin për të përqafuar njerëzit e gjallë. Në mënyrë paradoksale, në krye të kësaj Rilindjeje Socialiste, që ngjan të jetë një lukuni dhunuesish të paskrupull të andrrës së një populli për jetë të përbashkët në paqe, nga Toskëria në Gegëni pa dallim, është Edi Rama, djaloshi guximtar i dhjetorit 1990, që në Tiranën e blinduar të diktaturës dikur theu mitet e të paprekshmëve. Është metamorfoza dhe deformimi “i pashpjegueshëm” i përfaqësuesit të një brezi të injektuar me epidemitë e një tranzicioni të egër, që mori formën e lëngatët së pandalshme vitet e fundit.
Dhe lëngata që Rilindja në kanabis e neokomunistëve i ka injektuar Republikës, kombit, bashkimit shoqnor të shqiptarëve, duhet shëruar. Tashmë, pas katër vite vendosjeje nën ankth e nën presion të shoqërisë, pjesa që mendon e këtij vendi e ka të qartë se çfarë kishte në pjesën frontale të kokës, këto injorantë të shkëlqyer që i vërsuleshin Shtetit, shoqërisë dhe së ardhmes së vendit, Republikës së vlerave qytetare të reformueshme për nga liria, ligji dhe rendi.
Të ndalësh zgjatjen e pafundme të kësaj gjëje të shkërmoqur nga grykësia e pamatë dhe ta zëvendësosh pa ngurrim qeverisjen e njerëzve të balsamosur me fletët e kanabisit dhe të dehur nga kokaina, është misioni që ka filluar opozita, por që e aspiron prej kohësh qytetari i zakonshëm i Republikës.
Opozita, në udhën e saj për një Republike të Re, ka nevojë për një zgjerim të konsensuseve, jo më me injorantët e vjetër të koalicionit të partive të vogla të qesharakëve historikë, por me elitën intelektuale e qytetare të Tiranës dhe Shqipërisë, me partitë e mendimit dhe dijes, përfshirë edhe ato të qendrës së majtë, që bazohen mbi demokracinë dhe vlerat më të mira të qytetarit të ndershëm.
Është koha për ndërtimin e një ekipi permanent rezistues dhe programues që do të udhëheqë bisedimet me përfaqësuesit e qeverisë, e cila do të ulet një ditë për të bërë lëshimin final paqësor për zgjidhjen e krizës më të rëndë që kalon vendi nga viti 1997.
Opozita duhet të jetë e qartësuar për natyrën, kronologjinë, kompozitën dhe programin e qeverisë që do të përgatisë kushtet e barazisë formale në zgjedhje;
Opozita e di se e vetmja mënyrë për të ndryshuar gjendjen e vendit është gjetja e mekanizmit të sigurt ligjor dhe teknik që të gjithë qytetarët shqiptarë, pjesë e regjistrit civil të vitit 1990, fëmijët e tyre, të jenë pjesë e votimit të ardhshëm politik. Një përpjekje sistematike e partive qeveritare për të organizuar njësitë e tyre politike mbi bazat e dikurshme të frontit demokratik komunist duhet t’i vendosë udhëheqësit opozitarë në alarm dhe aleatët ndërkombëtarët para nevojës së ndërhyrjes së studiuar për të ndalur revanshin komunist në vendin anëtar të NATO-s.
Opozita e ka të qartë se vetëm një elitë e kualitetit krejtësisht të lartë intelektual, e pastër, e ndritur, civile dhe gjithëpërfshirëse mund ta ndalë lukuninë e ujqërve të Rilindjes së farkëtuar më 1 prill 2013 me transformuesin e përhershëm të pushtetit;
Është kjo rruga për të kaluar nga banketet politike te veprimi konkret i zgjidhjes me mjete politike dhe institucionale të krizës së Republikës së katërt, të mbytur nga grykë- sia e politikës, parasë së madhe të lavatriçeve dhe medias së kapur me qerren e bllokut autoritarist. Koha punon në të mirë të zgjidhjes demokratike, zgjatja e saj pa fund, në të mirë të instalimit të një regjimi monist socialist me koperturë pluraliste partizash të pronarëve të përjetshëm dhe të trashëguem.