Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka qenë gjithashtu e pranishme në Tiranë për samitin e SEECP-së.
Në një deklaratë për shtyp, Presidentja Osmani, deklaroi se propozoi në tryezën e diskutimeve, përballë homologëve të saj, që të hiqen sanksionet e Bashkimit Evropian të vendosur ndaj Kosovës. Për këtë gjë, ajo tha se Serbia ishte kundër një gjëje të tillë.
“Kosova ishte dakord për deklaratën e përbashkët, e cila është punuar për javë të tëra nga ekipet tona dhe e cila konfirmon rrugëtimin tonë drejt institucioneve euro-atlantike. Pra, përveç perspektivës brenda BE, aty përmendet edhe NATO, si një organizatë që kontribuon jashtëzakonisht shumë për sigurinë dhe paqen. Përveç perspektivës së rajonit tonë, aty është një kapitull i veçantë që flet për zhvillimet gjeo-politike, që ndër të tjera nga agresioni rus kundër Ukrainës dhe respekton në tërësi integritetin territorial dhe sovranitetin e Ukrainës. Pastaj, një pjesë që solidarizohet me viktimat e luftërave në Lindjen e Mesme. Si Republikë e Kosovës, kemi qenë në dakordësim të plotë sa i përket kësaj deklarate. Megjithatë, meqenëse ajo deklaratë nuk kishte asnjë pjesë ku shtetet do të kërkonin heqjen e masave të padrejta të BE ndaj Republikës së Kosovës, unë kam propozuar që po ashtu të ketë një paragraph të tillë, sepse edhe shtetet e BE-së që janë aty, edhe shumë shtete të rajonit nuk është se janë kundër. Natyrisht, Shqipëria, është një prej shteteve që më së shumti avokon sa i përket heqjes së masave. Por, siç mund të prisni, Serbia ishte kundër edhe për një çështje të tillë, e cila në fakt politike, por është në thelb humanitare, sepse ka të bëjë me projekte që prekin drejtpërdrejt me jetën e qytetarëve tanë”, tha ajo.
Kështu, teksa Presidentja e Kosovës deklaroi se ky shtet ishte pro kësaj deklarate të përbashkët, Osmani tha se Serbia ka qenë shteti i vetëm që tha se ishte kundër deklaratës së përbashkët. Në këtë deklaratë përmendej Rusia në lidhje me sulmin e saj ndaj Ukrainës, si dhe situata aktuale në Lindjen e Mesme, ku Izraeli dhe Irani janë në luftë mes tyre.