Në një nga plazhet e jugut, një gjyshe nga këto të zonjat, që e kapin situatën për “brirësh”, i mori fëmijën dy vjec nënës nga dora dhe e futi në det, që t’i mësonte “lezetin e ujit”. Fëmija filloi të ulerije i tmerruar, por pa dobi, nëna rrinte dhe e shikonte duke qeshur dhe sikur nuk mjaftonte nëna indiferente, me të u bashkuan edhe të rritur të tjerë që qeshnin me ulërimat e fëmijës.
Ky zakoni makabër i të rriturve, që qeshin apo shkrihen gazit me fëmijën e vogël të tmerruar nga mospërfillja dhe frika, vazhdon të jetë praktike e zakonshme pa na preokupuar për pasojat që mund të shkaktojë. Prindër dhimsuria nuk është nje gje e lindur, ajo mesohet e zhvillohet nëpërmjet sjelljes së prindërve ndaj femijës dhe më pas edhe nga të rritur të tjerë pranë fëmijës.
Prindër kini kujdes nga këto sjellje tuajat. E para, frika nuk largohet duke e “përplasur” fëmijën në ujë dhe duke qeshur. Kjo mënyre vetëm dëmton mekanizmat e empatisë. Ju mund tu vijë për të qeshur por fëmija është i tmerruar. E dyta, a ju ka shkuar ndërmend se si do të ndiheshit në një situatë të tillë, që ju të ishit të tmerruar dhe ata që ju kanë në dorë të qeshin e tallen ? Prindër mos luani me emocionet e pa formuara të fëmijeve tuaj dhe mos u çudisni nëse një ditë fëmija juaj, mund të bëhet i pandjeshëm dhe indifferent ndaj të tjerëve, kështu e keni “gatuar” me indifference dhe të qeshura kur ishte keq./ Lira Gjika