Ndërkohë që pak orë na ndajnë nga protesta e opozitës, nga emisioni “Opinion”, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha është shprehur se do të marri pjesë në protestën e nesërme së bashku me familjen dhe gruan e tij.
Duke u bërë thirrje qytetarëve për pjesëmarrje, për të treguar se protesta e nesërme do të jetë paqësore si çdo protestë tjetër e opozitës, kryedemokrati Basha ka deklaruar se në protestë do të marrin pjesë edhe zonja Basha së bashku me vajzat e tij.
Ndër të tjera, nga studio e opinion Basha ka ripërsëritur edhe njëherë se nuk do të ketë zgjedhje në 30 qershor, dhe se opozita nuk ka për të lejuar zhvillimin e një procesi farsë.
Deklarata e Bashës:
“Nuk ka sot asnjë qytetar shqiptar të ndershëm që do të jetojë me djersën e ballit, të kujdeset për fëmijët e vet që të mos jetë i shokuar kur ka zbuluar se çfarë bande kriminale kemi sot në krye të vendit dhe si është shkrirë në një qeveria me kriminelët e trafikantët.
E dyta që dua t’u them shqiptarëve është: unë nesër do të dal në protestë me familjen time, me dy vajzat e mia dhe u bëj thirrje të gjithë shqiptarëve të vijnë me fëmijët e tyre, me bashkëshortet e tyre, sepse do të jetë protesta më e madhe dhe më qytetare që ka njohur ndonjëherë Shqipëria.
Përpjekjet për të amnistuar krimet me të cilat është kapur në flagrancë Edi Rama, duke inkriminuar opozitën kanë dështuar tashmë . shqiptarëve ju them se unë do të dal me vajzat e mia, me gruan time dhe ju bëj thirrje: merrni fëmijët me vete. Nuk do të ketë asgjë. Nuk do të ketë absolutisht asgjë që të kërcënojë një fije floku të një qytetari apo të një punonjësi të ndershëm të rendit. Kemi marrë të gjitha masat për të neutralizuar çdo provokator të qeverisë në bashkëpunim me shërbimet inteligjente të vendeve partnere në Tiranë me të cilët kam qënë në komunikim sot dhe dje.”