Prokuroria e Tiranës ka nisur hetime pas publikimit në media dhe portale të një videoje që lidhet me ngjarjen tragjike të ndodhur në shkollën 9-vjeçare “Fan Noli”, ku humbi jetën një Martin Cani.
Videoja e publikuar tregon pamje nga data 18 nëntor 2024 dhe përfshin të mitur të tjerë, së bashku me emrat e tyre.
Kjo video përputhet me pamjet që janë pjesë e dosjes së hetimeve dhe që janë siguruar nga kamerat e sigurisë pranë vendit të ngjarjes.
Këto pamje janë ruajtur edhe në një CD që është dorëzuar në prokurori dhe më pas i është dhënë edhe avokatit të familjes së viktimës, me kusht që të mos publikohej.
Pavarësisht kësaj, pamjet u publikuan dy ditë më parë në disa media dhe faqe online, duke treguar fytyrat dhe emrat e të miturve të përfshirë në çështje, përfshirë viktimën, të dyshuarit dhe dëshmitarët.
Prokuroria thekson se kjo është një shkelje e rëndë, pasi procesi gjyqësor po zhvillohet me dyer të mbyllura dhe të dhënat e publikuara duhej të mbeteshin të fshehta për të mbrojtur fëmijët e përfshirë.
Për këtë arsye, është hapur një hetim për të zbuluar kush e ka publikuar videon dhe si ka përfunduar ajo në duart e mediave. Çështja po trajtohet aktualisht në Gjykatën e Tiranës.