Kreu i qeverisë Edi Rama ka inaguruar sot ambientet e një spitali Covid 3, që është përshtatur në godinën e një ish-Universiteti privat në vendin tonë, kur Shqipëria numëron jo më shumë se 30 raste pacientësh të shtruar me koronavirus, lehtësisht të përballueshëm nga spitali Infektiv, i vendosur pranë QSUT-së.
Spital i cili ishte premtuar që të ndërtohej brenda 15 ditësh nga premtimi në 26 Mars, ku Rama shfaqej në krah të superministrit Arben Ahematj, dhe vinin afate të qarta se kur spitali i ri do të përfundonte dhe ishte gati që të priste pacientë, vjen në një moment kur duket se nuk do t’i shërbejë askujt. (Lexo edhe ketu lajmin)
Askush nuk e ka idenë sesa i ka kushtuar buxhetit të shtetit përshtatja e këtyre ambienteve si spital, që padyshim do të kërkonin dhe një hetim për shpërdorim fondesh në rast se ai nuk do të përdoret asnjëherë për qëllimin me të cilin u ndërtua. Megjithatë i pyetur nga gazetarët në konferencën e sotme, Rama tha se ndërtimi i tij është mundësuar nga donatorë shumë dashamirës që kanë preferuar të mbeten anonimë, por ama kountrbuti i tyre është i dokumentuar.
“Ka emra, janë të gjitha të dokumentuara, por sigurisht që për të dhënë emrat në publik, ne nuk e bëmë, pasi na duhet dhe miratimi i tyre, janë disa sipërmarrës dashamirës. Ka raste që ata që dhurojnë nuk e bëjnë për ta bërë këtë publike, unë thjesht për respekt nuk përmenda emra, shmanga edhe dëshirën time për të bërë komente ndaj gjestit të tyre. Kur të marrim leje do ua themi dhe emrat, nuk ka lidhje me mungesën e transparencës”, tha Rama.
Një tjetër pikë mjaft e diskutueshme ka qënë dhe pezullimi i shumë vizitave mjekësore në vendin tonë, me shndërrimin e spitaleve në Covid, ç’ka ka sjellë dhe përkeqësimin e gjendjes së shumë pacientëve që kanë qenë të prekur edhe nga sëmundje të rënda. Rama nuk preferoi që të fliste stot për këtë duke ia kaluar topin ministres Manastirliu, e cila tha se do të bëhet një bilanc në ditët në vijim, por tha se ishte e bindur që çdokush do të merrte atë që meritonte.
Rama foli sot dhe për mundësinë e një vale të dytë Covid 19, që mund të ishte dhe më e rëndë, dhe në këtë kuadër do të ishte mirë që infrastruktura të ishte sa më parë gati, por ajo që mund të themi mesiguri momentalisht është se spitali Covid 3, do të jetë edhe për shumë kohë një godinë fantazmë pa mjekë dhe infermierë.
Jo më larg se fundjavën që shkoi Kryetari i Qeverisë të Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, Fadil Novaliq, drejtor i drejtorisë për mbrojtje civile Fahrudin Solak dhe pronari i kompanisë “Mjedëra e argjend” Fikret Hoxhiç, u arrestuan për shkak të blerjes së respiratorëve që nuk u përdorën për Covid 19.
Respiratorët u blenë nga Kina për 5.3 milionë euro, por janë të papërdorshme në repartet e kujdesit intensiv, dhe kjo çoi në arrestimin e zyrtarëve të lartë, ndërkohë që në vendin tonë u krye disa kohë më parë një tender për blerjen e 50 respiratorëve, të cilët edhe sot nuk janë bërë publik që të kenë ardhur në vendin tonë.
Në SPAK është hapur një hetim për tenderat e Ministrisë së Shëndetësisë, por që derimë tani janë pyetur vetëm persona të kategorisë së dytë dhe jo vetë zyrtarë të lartë, përfshirë dhe ministren Manastirliu. (E.K/Faxweb.al)