Ish kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar për ekzekutimin e 25-vjecarit Klodian Rasha nga një efektiv policie dhe për protestat që u ngritën për të kërkuar drejtësi. Me anë të një shkrimi në Facebook, Kurti thotë se personat në majë të pushtetit kanë momentin e fundit të kuptojnë se cfarë është bërë gabim deri më sot ka prodhuar zhgtënjim të madh tek populli.
Teksa i shpreh ngushëllimet familjes Rasha, Kurti thekson se revoltat janë ndjerë edhe në Prishtinë. Sipas Kurtit, atje nuk po shpërthen revoltat sepse ka ende shpresë dhe thotë se do e bëjë realitet. Sa i përket Shqipërisë, Albin Kurti shprehet se “ka plot njerëz të ndershëm, të aftë e të palodhur, që u qan zemra për ta parë vendin e vet mirë, me demokraci e drejtësi. U duhet vetëm të nisin të organizohen e të strukturohen, për t’i kapërcyer pengesat e vjetra, dhe kam bindjen që shpejt do të ndodhë edhe ajo.”
Reagimi i plotë:
Ngushëllime familjes e shoqërisë, dhe mbarë të rinjve shqiptarë, për Klodian Rashën, 25 vjeçarin të cilit ia morën jetën në rrugicën pranë shtëpisë së tij.
I kam ndjekur me vëmendje nga mediat protestat dhe e kam ndjerë edhe në Prishtinë revoltën e të rinjve në Tiranë e qytete të tjera të Shqipërisë. Thirrja “Drejtësi për Klodianin” ka bërë jehonë kudo mes shqiptarëve.
Ata që janë në majë të pushtetit politik e shtetëror, biznesor e mediatik, tash e kanë momentin e fundit që të kuptojnë se shumëçka që është bërë gabim deri më sot, ka prodhuar zhgënjim të madh.
Janë zhgënjyer qytetarët tanë, rinia jonë, siç janë zhgënjyer edhe partnerët ndërkombëtarë që kanë interes në forcimin e shqiptarëve.
Revolta rinore mund të mos ketë patur fjalime të sofistikuara mirëpo ajo foli e po flet qartë. Bashkë me fenomenin tjetër, emigrimin masiv, këto revolta po japin mesazhin se shqiptarët nuk mund të bashkëjetojnë më me këtë lloj sistemi politik dhe ekonomik korruptiv, që shkakton padrejtësi, pabarazi e prapambetje.
Edhe në Kosovë jemi në të njëjtën pikë, por këtu ende nuk po shpërthen revolta, sepse është edhe një shpresë. Atë shpresë nuk do ta lëmë pa e bërë realitet.
Sigurisht, me angazhimin e shqiptarëve, e sidomos të rinjve, edhe në Shqipëri do të mundësohet rikthimi i shpresës, e ndryshimi i rrugës, larg korrupsionit dhe drejt zhvillimit. Shqipëria ka plot njerëz të ndershëm, të aftë e të palodhur, që u qan zemra për ta parë vendin e vet mirë, me demokraci e drejtësi. U duhet vetëm të nisin të organizohen e të strukturohen, për t’i kapërcyer pengesat e vjetra, dhe kam bindjen që shpejt do të ndodhë edhe ajo.
Drejtësi për Klodianin do të thotë drejtësi e demokraci e mirëfilltë për Shqipërinë.
(A.M/Faxweb.al)
Discussion about this post