Emisioni investigativ “BOOM” në Ora News në vijim të rastit të mbajtjes në paraburgim prej katër muajsh të një të riu pa prova ka paraqitur sot edhe qëndrimin e gjykatës së Krujës, e cila nuk ka pranuar të ndryshojë masën e arrestit për këtë shtetas.
Ky vendim ka ardhur megjithëse është paraqitur akt-ekspertimi i shenjave të gishtërinjve, që tregonte se këto shenja nuk i pirkisnin shtetasit Kristian Preçi.
Mbrojtja e ka cilësuar arbitrar këtë veprim dhe ka kërkuar në seancë përjashtimin e gjyqtares.
Situata ka vijuar në kufijtë e groteskut, kur disa ditë pas seancës në Krujë, kjo gjykatë me kërkesën e Prokurorisë së Krujës ka shpallur moskompetencën, duke e transferuar gjykimin në Durrës.
Gjithçka shndërrohet në absurd, ku nga provat e reja të administruara, celulari për të cilin akuzohej Preçi si vjedhës, i është gjetur një të mituri, i cili ndodhet në Durrës.
Por as gjykata e Durrësit nuk e ka ndryshuar masën e sigurisë për Kristian Preçin, pasi ka pretenduar se Gjykata e Krujës nuk ka përcjellë aktet paraprake të dosjes. Dhe kështu është shtyrë seanca dhe Kristiani është rikthyer në qelitë e paraburgimit.
Historia e transmetuar në “BOOM” zë fill pak kohë më parë, kur në shtëpinë e Kristian Preçit, rreth orës 3 të mëngjesit kanë ardhur policët dhe kanë kryer ndalimin e tij, pasi një shtetase kishte bërë një deklaratë se i riu i kishte vjedhur një telefon.
Pas kontrollit të shtëpisë, nuk është gjetur asnjë mjet i tillë, megjithatë në proçesverbal, oficeri gjyqësor ka shkruar se është kapur në flagrancë.