Gazmend Braka, i njohur më së shumti si “Gaxhai” u vu në pranga në vitin 1997 nën akuzën e një sërë krimesh të kryera nga organizata kriminale me bazë në qytetin e Vlorës. Nga të gjitha shkallët e gjykimit ai është dënuar me burgim të përjetshëm.
Grupi i “Gaxhait” përbëhej nga Armando Sulejmani, Sokol Sinomati, Edmond Leskaj, Gazmend Nebiu dhe kishte si kundërshtar grupin e drejtuar nga Zani Çaushi.
Së fundmi, pas 20 vjetësh, emri i tij nuk është lakuar nëpër media, dhe në intervistën e dhënë për gazetën “Shekulli”, ai shprehet se nuk ka pasur interes të flasë në media për të shkuarën e tij dhe për historinë e vitit të mbrapshtë.
Ai ka qëndruar në heshtje gjatë qëndrimit në burg, duke mos përbërë problem. Sot teksa i ka kaluar të 40-tat, rrëfen në intervistën për gazetaren Alma Çuka se në atë vite nuk i mendonte shumë veprimet që kryente dhe ushqehej nga kundërshtarët e së njëjtës moshë.
Ai është një ndër të dënuarit që është përpjekur të arratiset tri herë, për herë të fundit në vitin 2005, ku tentoi të largohej nga burgu 302 përmes një tuneli. Prej atij momenti, duket se një prej të fortëve të qytetit të Vlorës është pajtuar me fatin e tij.
Intervista:
I vetëm në dhomën qeli, takimet me familjarët të rralla
Ashtu sikundër na pohoi Gazmend Braka tashmë është pajtuar me fatin e tij. Qëndron i vetëm në dhomën e vogël të sektorit sektorit “Vip” që ndodhet në katin e dytë të godinës brenda së cilës janë akomoduar edhe dhjetëra të tjerë, dënuar me burgim të përjetshëm. “Gaxhai” tregon se pavarësisht fatit që i ka rënë, ndihet i qetë. Kur e pyesim se si e kalon ditën në qeli, përgjigjen ta kthen duke vënë buzën në gaz dhe shkurt.
Cila është dita juaj brenda këtyre mureve?
Jemi mësuar tashmë. Unë u bëra 40 vjeç këtu. Jam futur fëmijë në burg dhe tashmë e di shumë mirë se çdo të thotë të qëndrosh në qeli. Dita është shumë e thjeshtë. Zgjohem në mëngjes, përgatis ushqimin dhe më pas mundohem të bëj pak gjimnastikë. Është fare e thjeshtë.
Konsumoni ushqimin e burgut apo..?
Të them te drejtën nuk konsumoj ushqimin e burgut. Mundohem të gatuaj vet në dhomë. Ushqimet i blej në dyqanin e hapur për institucionin.
Kush është miku juaj më i mirë këtu?
Nuk do ta besoni po të them se mikun më të mirë kam televizorin. Gjatë ditës shkëmbejmë edhe ndonjë bisedë të shkurtër me shokët e sektorit.
Të cilët janë?
Burgu ka shumë të dënuar, por unë ndihem më mirë këtu me Arben Grorin, Taulant Balliun.
Këtu mësova se vuajnë dënimin edhe disa nga pjesëtarët e grupit që t’i drejtoje gjatë vitit 1997?
Po është e vërtetë. Këtu ndodhen. I takoj ndonjëherë.
Sa herë zhvillon takime me familjarët?
Takimet i kam të rralla. Familjen nuk e kam në Shqipëri. Prej disa kohësh ata ndodhen në Gjermani.
Sa fëmijë keni?
Kam tre fëmijë. Vajzën e madhe e kam 16 vjeçe dhe dy djem njëri 10 dhe tjetri 14 vjeç. Fakti që janë jashtë shtetit më pengon që unë të takohem me ta. Familjarët e tjerë i takoj më rrallë.
Sa herë komunikon me ta në telefon?
Kur më krijohet mundësia flas në telefon me fëmijët. Më merr malli, por kështu e ka jeta. Ky ishte fati im.
(XH.A/SHUPLAKA)