Qarku i Kukësit gjatë 24 orëve të fundit është përfshirë nga reshje shiu me intensitet mesatar ku ka krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në aksin nacional Kukës-Shishtavec. Gurë masivë, disa në madhësi të mëdha kanë rënë në një rrugë që lidh 12 fshatra me qytetin e Kukësit.
Deri tani nuk raportohet për të lënduar në njerëz. Vetë banorët dhe shoferët e automjetëve kanë ndihmuar për largimin dherave dhe gurëve, ndërsa një pjesë e rrugës Kukës-Shishtavec është pa firmë mirmbajtëse.
Pikërisht në atë segment rrugor që ka rrëshqitje të gurëve. Bashkia Kukës ka kërkuar që rruga Kukës- Shishtavec të merret nën përgjegjësinë e Autoritetit Rrugor, pasi ajo është dëmtuar dhe Bashkia nuk ka para për ta mirëmbajtur. Ndonëse Bashkia edhe pse herë pas herë e pastron rrugën, është tërësisht e pafuqishme, qoftë financiarisht, por edhe nga ana e mekanikës për të bërë të mundur mirëmbajtjen.
Për këtë, Sekretari i Bashkisë Kukës, Bujar Muçmata kërkon kalimin e rrugës nën përgjegjësinë e Autoritetit Kombëtar.
“Mirëmbajtja nga ana financiare është e pamundur, ky është një apel për ndihmë, pasi është një rrugë strategjike për zhvillimin e turizmit”, u shpreh Muçmataj.
Rruga Kukës-Shishtavec, deri në vitin 2015, ka qenë në inventarin e rrugëve kombëtare, por për shkak të financimit ajo i kaloi njësive vendore.
Me përfundimin e financimit sërish i është kërkuar qeverisë të marrë vendim për transferimin, por ende nuk ka një përgjigje dhe segmenti nuk ka mirëmbajtje.