Pas lajmit për dorëheqjen e ministrit të Punëve të brendshme Saimir Tahiri, analisti i njohur Fatos Lubonja jep mendimin se nëse kjo ndodh, do t’i shërbejë qeverisë si një alibi. Alibi se ministrat e akuzuar në lidhje me krimin nuk do të merren me fushatën zgjedhore dhe nuk do ndikojnë në zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
“Për të zgjidhur këtë krizë që ka krijuar opozita me kërkesat e krijimit të qeverisë teknike, nga mazhoranca vjen një lloj opsioni që thotë që ju doni qeveri teknike, ne s’jua a japim por unë heq ministrat që merren me fushatën që të heq një alibi se këta ministra do të merren me fushatën. Jo se kemi një rrëshkitje të situatës nga duart të kryeministrit.”, tha Lubonja i ftuar në emisionin “Kjo Javë”.
Mirëpo, i pyetur nëse shkarkimi i Tahirit i intereson opozitës, e cila që prej 22 ditësh është në protest duke kërkuar zgjedhje të lira dhe të ndershme përmess krijimit të një qeverie teknike, Lubonja e mohoi një gjë të tillë.
“Jo, sepse këto shkarkime, nuk janë shkarkime për punë të keqe, por janë për të hequr një alibi. Opozita kërkonte shkarkimin e këtyre ministrave se këta janë rrezik, sepse Tahiri akuzohet se ka pasur kontrollin e grupeve kriminale. Vendimi i sotëm është rezultat i presionit që bëhet nga opozita. Kjo që bëri Rama nuk do të ndodhte nëse opozita s’do protestonte, por nga ana tjetër mund të jetë dhe truk siç tha Basha. Por nëse hiqet Tahiri, pasi siç thuhet se ka lidhjet me krimin, është një gjë, por gjë tjetër është nëse hiqet për t’i dhënë garanci opozitës se do kemi një ministër që do pastrojë lidhjet e policisë me krimin. Unë mendoj se Basha ka të drejtë kur thotë se ky shkarkim ngjan me një truk.”, tha Lubonja. (D.D/Shuplaka)