Mediat në SHBA i kanë kushtuar një sërë artikujsh shqiptarit 31-vjeçar Raz Halilit, i cili ka ndihmuar dhjetëra njerëz me varkën e tij, pas përmbytjeve të shkaktuara nga uragani Harvey.
“Daily Mail” shkruan se i riu me origjinë nga Kosova, është vlerësuar me titullin “RescueBae”, për shkak të ndihmës që ai u ka ofruar të përmbyturve.
Mirëpo fanset e tij më të veçanta duket se janë femrat. “Daily Mail” shkruan se një vajzë e re nga Teksasi Ariel Marie, ka shpërndarë foton e Halilit në “Facebook” dhe e ka kërkuar atë në rrjetet sociale.
Ajo shkruante: “Ti as nuk e di se sa shumë vetë ju kanë bekuar. Unë jam dashuruar me ty. Unë do të të gjej”.
I kontaktuar nga “Daily Mail”, Halili tha se ai dhe kushëriri i tij, Gëzimi, kanë punuar më orë tëra gjatë ditës dhe natës për të ndihmuar të përmbyturit.
“Më e keqja e shkatërrimit që pamë ishte në zonën Port Arthur, shtëpitë e pleqve u përmbytën me ujë, pacientët po prisnin të lëviznin nga anijet në tokë të thatë. Shumë shtëpi dhe apartamente ishin tërësisht të përmbytura. Gjatë gjithë kësaj çmendurie, gjithashtu kishte shumë të tjerë që ndihmonin së bashku me zyrtarët lokalë të shtetit.
Ishte e bukur të shihja njerëz që i ndihmonin të tjerët nga mirësia e zemrës, pa marrë parasysh racën, fenë apo partinë politike. Unë besoj se ky është shpirti i vërtetë i Amerikës”, ishte shprehur Halili.
Ndërkohë, lidhur me vajzën në fjalë, Halili u shpreh se ajo thjesht kishte parë punën që ai dhe të tjerë kishin bërë në komunitet, mirëpo gjërat janë ekzagjeruar paksa edhe nga rrjetet sociale më pas.
Kujtojmë se më shumë se një milion njerëz u zhvendosën për shkak të uraganit “Harvey”, që goditi Teksasin juglindor dhe Luizianan muajin e kaluar, duke lënë të paktën 70 të vdekur.
Për t’u ardhur në ndihmë të përmbyturve, janë bashkuar në të njëjtën kauzë edhe pesë ish-presidentët amerikanë Jimmy Carter, George H.W. Bush, Bill Clinton, George W. Bush dhe Barack Obama, të cilët po mbledhin fonde. Një pjesë e parave do t’u dhurohen edhe të përmbyturve të uraganit Irma që goditi Floridan fundjavën e kaluar. Nismë kjo e mbështetur edhe nga presidenti Donald Trump.
POR KUSH ËSHTË RAZ HALILI?
Në moshën 16-vjeçare, Halili ka punuar një shumëllojshmëri punësh të vogla, të cilat më së shumti kishin të bënin me qëndrimin pranë ujit, si përshembull-baywatch.
Aktualisht, ai është i punësuar në një kompani kafeje e cila është në pronësi të familjes së tij, “Prestige Oyster Inc.” në Dickinson.
Halili ka fituar një diplomë bachelor nga Universiteti Baptist i Houstonit, ku luajti për ekipin e futbollit të shkollës.
“E kam kaluar shumicën e verës duke vizituar familjarë të mi në Kosovë dhe duke udhëtuar përgjatë bregut të Adriatikut. Shumicën e kohës e kam shpenzuar duke punuar në rritjen e biznesit që filluan prindërit e mi, e cila ka qenë ëndrra amerikane për ne”, thotë Halili.
Por për femrat të cilat kishin shpresa se mund t’i bashkonte një ditë Zoti me Raz Halilin, fati nuk u buzëqesh në këtë pjesë pasi ai e ka një të dashur me të cilën bashkëjeton. Ajo quhet Samantha.
(D.D/Shuplaka)
[ngg_images source=”galleries” container_ids=”2774″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser” ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″]