Ditën e djeshme vendi është tronditur nga disa ngjarje të rënda, që tregojë nivelin dhe problematikat e shoqërisë shqiptare. Të gjashta ngjarjet e mëposhtme kanë disa emërues të përbashkët: varfërinë, problemet ekonomike, injorancën dhe luftën e klasave. Këto ngjarje janë tregues të një shoqërie e cila është në një periudhë deperesioni dhe të pashpresë. Aq sa njerëzit marrin akte dhune ndaj familjarëve të tyre por edhe ndaj vetes, madje kryejnë edhe vetëvrasje në mënyrë të tmerrshme(i vetëdjegur djali mbi motorr në foto).
Ngjarjet:
1-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në kryeqytet, që ka përfunduar me arrestimin e bashkëshortit. Rezart Zani 41 vjeç, banues në Tiranë ka hedhur nga shkallët bashkëshorten e tij, të identifikuar mei inicialet A. SH. 40 vjeçe, e cila mësohet se ishte shtatzënë. E dhunuara ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
2- Një 45-vjeçar u vu në prangat e Policisë së Durrësit, pasi në gjendje të dehur dyshohet se i ka hedhur ujë të nxehtë të bijës 14-vjeçare. K. XH. 45 vjeç, banues në Durrës është arrestuar nga policia. 14-vjecarja është djegur në këmbë dhe ndodhet në QSUT nën kujdesin e mjekëve. e gjithë kjo pas një sherri në mes prindërve të 14-vjeçares.
3- Një 34-vjeçar i identifikuar si Olgert Miho është vetëdjegur me benzinë brenda banesës në lagjen numër10, në rrugën “Petraq Shomo”, të qytetit të Korçës. Olgert Miho në gjendje të dehur iu drejtua banesës së familjarëve të ish-të fejuarës së tij, në orën 5 të mëngjesit. Ish-e fejuara nuk ndodhej në banesë, ndërkohë që 34-vjeçari vendosi të ndërmerrte aktin heroik për të treguar përpara ish-vjehrrës dashurinë për të bijën e saj. Si pasojë e flakëve, mësohet se është djegur edhe ish-kunata e Mihos, e cila ka pësuar disa plagë por jashtë rrezikut për jetën në spitalin rajonal të Korçës.
4- Një 41-vjeçar është arrestuar nga policia e Vlorës, pasi ka ushtruar dhunë ndaj ish- bashkëshortes së tij. Në pranga ka rënë Genci Ahmeti pasi ditën e djeshme ka shkuar në banesën e ish-bashkëshortes së tij shtetases O.A., 31 vjeçe, në lagjen “11 Janari” dhe ka ushtruar dhune fizike ndaj saj, në prani të dy fëmijëve të tyre. Sipas policisë dhuna e ushtruar ndaj ish- bashkëshortes ka ardhur për motive të dobëta.
5- Një i ri është vënë në prangat e Policisë së Tiranës pas dhunës që ushtroi ndaj drejtorit të gjimnazit dhe nëndrejtoreshës së shkollës ku ai studion. Ai ka ushtruar dhunë ndaj drejtorit të shkollës me iniciale Xh. Q, 56 vjeç, banues në Tiranë dhe nëndrejtoreshës, me iniciale O. I., 36- vjeçe, banuese në Tiranë. Ngjarja mësohet të ketë ndodhur në shkollën e mesme “Shkolla e Bashkuara”, në Farkë të Madhe. Nxënësi është identifikuar si Aldo Troski 18 vjeç.Ende nuk dihen motivet e këtij akti të rëndë.
Intervista me psikologen Orjola Pampuri:
Si i komenton këto ngjarje? Duket që kanë diçka të përbashkët…
Të gjitha këto ngjarje kanë të bëjë me dhunë brenda familjes, por kanë edhe një fund të trishtë. Të gjithë ne i dëgjojmë dhe informohemi rreth tyre. Por ka tjera, plot të tjera si këto, të ngjashme, të cilat ndodhin çdo ditë dhe vërtet janë të dhimbshme. Unë në punën time të përditshme përballem me ngjarje, të cilat ngjasojnë me këto, janë ndoshta edhe më të këqija se kaq, por fati i mirë është që nuk kanë një fund të dhimbshëm si këto. Megjithatë të gjitha këto e kanë një zanafillë. Ne jemi një shoqëri e cila kulturën, edukatën, marrëdhënien, në një farë mënyrë si bazë e kemi te frustrimi. Ne jemi një shoqëri ku gjithë komunikimin e kemi në bazë të një edukimi autoritar. Kryesisht familja shqiptare është e edukuar në bazë të një edukimi autoritar. Burri ka qenë ai që merrte vendimet, burri ka qenë ai që i dëgjohej fjala. Kryefamiljari ka qenë ai që me dashje apo padashje vendoste veton e të gjithëve. Në këtë mënyrë ndrydheshin ndjenjat, dëshirat, mendimet, fjalën edhe gjithçka tjetër. E gjitha kjo në vetvete shkakton një konfuzion identiteti. Gjithë ky konfuzion indentiteti brenda vetes tonë shkakton krizë. Dhuna në familje vjen si pasojë e mosbindjes. Në rastin e babait që djeg vajzën minorene, në rastin e të fejuarit që djeg veten për shkak se humbet të fejuarën, pra ne jemi në një shoqëri në krizë ,e cila ende nuk pranon që ka edhe ndarje, ka edhe divorce ka edhe ”JO”. Jemi një shoqëri, e cila pranon vetëm bindjen, që është baza e një shoqërie autoritare, e një shoqërie që nuk e njeh lirinë. Të tillë individë, të cilët janë rritur në dhunë janë ata që në 99% të rasteve do të shfaqin dhunë në familjet e tyre. Këta individë shfaqin probleme të personalitetit. Pra të gjithë këta kanë paaftësi për t’u socializuar, paftësi për të kuptuar dhe paaftësi për të kuptuar kundërshtimin e të tjerëve. Se në një shoqëri normalisht që do të përballesh me kundërshtimin me JO-në. Kur je në një marrëdhënie duhet të kutosh që do të përballesh edhe me ”JO”-në. Edhe ne si shoqëri nuk e kuptojmë një gjë të tillë, pasi e bazojmë edukimin vetëm falë autoritetit.
A janë rastësore këto ngjarje apo është një cikël që arrin limitin? Cili mendoni se është shkaku?
Jo, nuk është rastësore. Të tilla ngjarje ekzistojnë por ato i nxjerr në pah shpeshhere edhe varfëria, papunësia, problemet ekonomike. Problemet ekonomike janë ato që nxjerrin në pah problemet sociale. Nëse një shtet ka probleme ekonomike, ka rritje të papunësisë, dalin në pah edhe të gjitha problemet sociale. Shoqëria jonë ka pasur shumë probleme edhe nga 50 vitet e kaluara por i mbuloi për shkak të një mirëqënie disi të rregulluar. Kur kjo mirëqënie ra, ato dolën sërish, pasi ato aty ishin, ishin të fjetura. Kemi të bëjmë me rastin e prindit i cili është i abuzuar në fëmijërinë e tij, do të gjejnë këtë mënyrë për të vepruar edhe me fëmijën e tij. Të gjitha këto kanë një arsye të vetme: vetëm varfëria. Këto janë shumë pak, ato që dëgjoj unë në zyrën time, janë raste dhe të tmerrshme. Njerëzit për shkak të varfërisë jetojnë me njëri-tjetrin edhe pse nuk duan, jetojnë për faktin se nuk kanë rrugëzgjidhje tjetër. Nuk kanë një strehë tjetër ku të strehohen dhe ku të jetojnë dhe kjo është arsyeja që jetojnë dhe bashkëjetojnë me dhunën.
A ka masa parandaluese për këtë situatë?
Të dëgjosh që brenda ditës ndodhin 4-5 ngjarje makabre… Po, frustohet kushdo që i dëgjon, edhe kur fëmijët i dëgjojnë. Këto janë mendime negative. E vetmja mënyrë për ta parandaluar , ndoshta shkon më tej, me larg, ndoshta nuk është e drejtëpërdrejtë. Një grua e arsimuar do të marrë një vendim më të drejtë, do të jetë më e bindur për vendimin që do marrë, një politikë tjetër sociale që duhet të ndërmarrë shteti është që ajo duhet të krijojë strehëzat për ato gra që ndihen të dhunuara të largohen nga ai vend. E treta, një grua duhet të jetë e lirë të thotë fjalën e saj, që të mos jetojë me një partner të dhunshëm, duhet të ketë sigurinë tek vetja. Po kështu duhet të merren masa të vërteta kundër këtyre dhunuesve , të cilët janë bërë të shumtë në numër sot dhe të kenë edhe frikë nga ky ligj. Strehëza për gratë, për fëmijët, forcimi i gruas në shoqëri, të tre këto faktorë ndryshojë situatën. E gjithë zanafilla e saj janë problemet ekonomike. Nëse kemi një mesatare të mirë ekonomike do të jetojmë një jetë më të qetë. Problemet ekonomike bëjnë që të ketë 1001 probleme sociale në një shoqëri. (J.V/Shuplaka)

Discussion about this post