Një 42-vjeçar shqiptar, pronar i një lokali në Montecchio Maggiore (Vicenza), është zënë në pritë nga një i panjohur, i cili e ka plagosur rëndë me dy plagë me thikë.
Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme ku 42-vjeçari ka qenë duke hapur biznesin, ‘Seven Lounge bar’, kur pas tij është shfaqur një burrë, me sa duket me kombësi italiane, i cili e ka sulmuar me thikë të madhe.
Ai është goditur në krah, nga një goditje që i ka dëmtuar mushkëritë dhe në këmbë, në lartësinë e kofshës. Më pas sulmuesi u zhduk, duke humbur gjurmët e tij.
Karabinierët, sipas asaj që mësohet nga mediat italiane kanë arritur tashmë në identifikimin e autorit.
Imazhet e kamerave të vëzhgimit tani po ekzaminohen për të rindërtuar atë që ndodhi. Nuk dihet ende motivi i ngjarjes. 42-vjeçari ndodhet i shtruar në spitalin e Viçenzës, në gjendje të rëndë, por jo në rrezik për jetën.