Fushata ushtarake izraelite ndaj Iranit ka ngritur një seri pyetjesh mbi lidershipin e ardhshëm të Republikës Islamike dhe konkretisht, kush mund të pasojë liderin suprem, Ajatollah Ali Khamenei, në rast se vritet.
Pas vrasjes së oficerëve të shumtë të lartë të ushtrisë iraniane, si dhe të shkencëtarëve të energjisë bërthamore, kryeministri Netanyahu ka paralajmëruar se Khamenei mund të jetë objektivi i ardhshëm.
Deri më tani, lideri ka hedhur poshtë thirrjet e Shteteve të Bashkuara për dorëzim përballë sulmeve izraelite dhe ka paralajmëruar se përfshirja e tyre në konflikt do të sillte “dëme të pariparueshme”.
Por teksa tensionet rriten po ashtu rriten edhe sugjerimet për influencën në rritje të djalit të Khamenei, Mojtaba dhe mundësisë që ai të pasojë të atin në rast se Izraeli e nxjerr nga skena.
Aktualisht Mojtaba është një klerik i nivelit të mesëm, por i konsideruar një personazh influent në rrethin e vendimmarrjes së Republikës Islamike, pavarësisht daljeve të rralla publike.
Burime konfidenciale kanë deklaruar për agjencinë “Reuters” se ai ka krijuar lidhje solide me Gardën Revolucionare dhe aktorët e rëndësishëm politikë në Teheran.
Edhe pse Khamenei nuk e ka miratuar kurrë një pasardhës, në Iran sugjerohet se Mojtaba është konsideruar prej kohësh si një nga kandidatët kryesorë për postin e liderit të ardhshëm suprem. Një tjetër figurë ishte presidenti Ebrahim Raisi, i cili vdiq në një incident ajror majin e vitit të kaluar.
Pavarësisht zërave për influencën e tij, Asambleja e Ekspertëve, paneli që do të ketë detyrën e përzgjedhjes së liderit të ardhshëm suprem, e përjashtoi Mojtabën nga lista e kandidatëve potencialë rreth 6 muaj më parë.
Megjithatë, popullariteti i tij nuk është zbehur dhe burimet e cituara nga “Reuters” thonë se prapa skenave klerikë influentë po lobojnë për ta rikthyer emrin e tij mes pretendentëve.