Jorida Tabaku, ka denoncuar një skandal, që po ndodh pikërisht në mes të krizës së krijuar nga koronavirusi.
Socialistët kërkojnë përjashtimin nga TVSH, të atyre që importojnë mjete lundruese, përfshirë jahtet luksoze.
Ndryshe nga kërkesa e shtirur e Ramës në një emision televiziv, që të pasurit të shesin jahtet dhe të paguajnë detyrimet, Rilindja po i ndihmon personat që kërkojnë të blejnë këto mjete, duke u hequr TVSH-në.
Denoncimi i Tabakut:
Kush janë të privilegjuarit e qeverisë në këtë kohë krize?
As më shumë dhe as më pak janë të gjithë ata që importojnë jahte dhe mjete të tjera lundruese. Është jashtë çdo logjike normale ekonomike dhe njerëzore që në këto ditë të vështira për shqiptarët qeveria shqetësohet dhe harton ligje për të favorizuar ata që blejnë jahte.
Me këtë akt qeveria e zgjidh fare lehtë qesen kur bëhet fjalë për blerësit e jahteve, ndërsa për 3 milionë shqiptarët nga të cilët mbi 500 mijë janë të punësuar në privat e njëjta qeveri nuk ka parà. Qartë e më qartë e ditë pas dite për 7 vjet me radhë , me çdo veprim dhe ligj të miratuar kjo qeveri dhe ky kryeministër tregojnë se janë thjesht dhe vetëm në shërbim të oligarkëve dhe jo të shqiptarëve.
Tashmë ata e dinë mirë dhe e kanë kuptuar se kush është shqetësimi i vërtetë i kësaj qeverie që në kulmin e krizës shqetësohet që të heqë taksat për jahtet në vend që të lehtësojë nga detyrimet ata që janë në kushte më të vështira dhe kanë vërtet nevojë për ndihmën e shtetit.