Pas verifikimit të fletëve të votimit në 94 kutitë e Gramshit dhe Peqinit, të cilët u krahasuan me materialet zgjedhore, sot në orën 09:00 pritet që të nisë rinumërimi i të gjithë qarkut të Tiranës. Bëhet fjalë për 1 282 kuti votimi dhe do të shqyrtohen votat për partitë si edhe për kandidatët.
Procesi për Tiranën pritet të zgjasë rreth 10 ditë ndërsa më pas do të vijohet me rinumërimin e të gjithë qarkut të Fierit, (587 kuti) dhe në fund 360 kutitë e qarkut Durrës, 85 prej të cilave janë të diasporës.
Në dispozicion janë vendosur 24 grupe dhe me gjithsej 63 punonjës të administratës zgjedhore, 48 numërues dhe 15 zëvendësues. Procesi është parashikuar që të kushtojë 21 milionë lekë të rinj dhe nuk do të ketë nevojë për buxhet shtesë pasi do të mbulohet nga kursimet e 11 majit.
U konstatuan rreth 15 raste kur fletët e votimi nuk kishin dy vula nga komisioni por vetëm 1, ose asnjë; fletë votimi në kuti më shumë se sa zgjedhës pjesëmarrës në votim apo fletë votimi të papërdorura në kutinë e materialeve zgjedhore, më pak se sa janë shënuar në procesverbal.