Epidemiologu Taulant Muka ka folur në një intervistë për Fax News për mbajtjen e maskës me detyrim në çdo ambient përveç shtëpisë, vendim që do të hyjë në fuqi nga dita e nesërme. Muka u shpreh se ka evidenca shkencore që tregojnë se vetëm maska mjekësore ka treguar prova se arrin të ulë burimin e infeksionit.
Ndërkohë ngre pyetjet nëse qeveria shqiptare mund të përballojë kapacitetin e maskave ndërsa thotë se maskat prej fibre që sugjeron Ministria e Shëndetësisë mund të lëshojë fibra dhe të përhapë sëmundjen.
“Evidenca shkencore nuk mbështet përdorimin komunitar për më tepër të maskave prej rrobe. Studimi i fundit që u publikua mbi studime klinike që janë standardi më i lartë i evidencës në botë që përdorim ne sot për të aplikuar një maskë, tregoi që maskat mjekësore së bashku me higjienën e duarve mund të ndikonin në ulje të transmetimit të infeksionit në komunitet.
Nuk është e qartë nëse efekti ishte i maskave, i larjes së duarve apo i të dyjave bashkë. Megjithatë, u përdorën maska mjekësore. A i ka Shqipëria maskat mjekësore për ti përballuar gjithë popullata shqiptare? A i ka arritur Shqipëria kapacitetin e maskave dhe a mundet ti prodhojë?
Nga ana tjetër, ka 2 studime shumë të rëndësishme për Covidin. Njëri ka provuar maskën mjekësore dhe atë prej rrobe të prodhuara nga fabrika me një apo 2 shtresa pambuku dhe maska mjekësore ishin shumë të efektshme në uljen e pjesëzave të pështymës ndërsa maskat prej cope nuk ishin efektive, madje rrisnin spërklat se lëshonin fibra. Kur dëgjoj ministrinë që thotë fibra tekstile, duhet të kemi parasysh që mbajnë dhe disa element kimikë dhe nuk e dimë nëse i thithim në aparatin e frymëmarrjes dhe nëse kanë efekt anësor.
Një tjetër studim klinik tregon se maska mjekësore mund të ulte përhapjen e koronavirusit. Ka një efikasitet, megjithëse jo shumë i lartë”, tha Muka.
Muka shtoi se Shqipëria po përdor modele nga bota ndërsa sugjeron një ide se si të parandalohet virusi duke mos ndikuar në ekonominë e vendit: “Më mirë të thonin që mos flisni me zë të lartë në disa ambiente dhe janë pa kosto pasi i përshtaten më së miri ekonomisë shqiptare. Është plagjiaturë se e bëri Holanda, Italia.” (A.M/Faxweb.al)