Gjykata ka caktuar sot masat e sigurisë për babë e bir, të arrestuar pas operacionit policor në “Don Bosko”, ku policia plagosi me armë shpërndarësin e kokainës Blendi Peca.
Gjykata vendosi të lërë me “detyrim paraqitje” shtetasin Shehat Murati, 50 vjeç, banues në Tiranë.
Ndërkohë që ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për djalin e tij, Ardit Murati, 24 vjeç.
Familjarët e Blendi Pecës, i plagosur tre ditë më parë gjatë operacionit policor te “Don Bosko”, kanë një tjetër version për ngjarjen. Ata thonë se në drejtim të tij nga ana e Policisë është qëlluar 13 herë.
Nga ajo që mësohet është se gjendja e të riut që ndodhet në spitalin e Traumës është përkeqësuar, ndërsa familjarët e tij, pretendojnë se historia nuk është aspak ashtu siç thotë polica.
Sipas familjarëve të Pecës, kanë qënë agjentët e antidrogës ata që e kanë përplasur mjetin me të cilin lëvizte, një Citroen. Jo vetëm kaq, por ata kanë ushtruar dhunë dhe kanë qëlluar me armë në drejtim të tij.
(E.K/SHUPLAKA)