Nga Rudi Erebara
Dje, kur ne ishim mbledhur si përditë këto kohët e fundit, të mbrojmë teatrin nga shembja, të bëjmë një ligj të ri për teatrin, një ligj të mirë, të ndërtojmë të gjithë bashkë një sistem më të mirë që të funksionojë, në pothuaj të njëjtën orë, qeveria e bashkia inaguruan teatrin e ri të quajtur Turbina. Ishin të gjithë aktorët që janë për shembjen e së vjetrës edhe ngritjen e të resë, nuk e di si a pse, por m’u kujtuan ata atëherë, që prishnin kisha e xhamija.
Kinoditaret, me atë zërin e përshpejtuar e të holluar, nën kollonën zanore të një marshi ushtarak sovjetik, mbushur me llafe shqip. Pushteti kërkon të tregojë se ai ndërton teatro, edhe ata që mbrojnë teatrin kombëtar, janë të këqinjtë që nuk duan zhvillimin. Unë kam parë kinezëri të tilla kësish edhe më parë, por ama kjo është shumë e spikatur si lejfenizëm. Prandaj po e filloj shkurt, jo gjatë ta shpjegoj pak lejfenizmin.
Si u ndërtua ky teatër i ri
Me një fond grek 2.5 milion euro që kishte ardhur që në kohën kur qeverinë e kishte Sali Berisha. Nuk u lëvrua, edhe u dha tani. Kjo është arritje për qeverinë e Ramës, se del ministresha edhe e propagandon qe ne ia dolëm të ç’bllokojmë fondin. Po ta shohësh thjesht. Këta shkuan në bankë edhe morën paratë që grekët ia kishin dhënë Berishës.
Por thuhet se kane futur edhe nga xhepi i vet, një milion euro, xhepin që ia mbushim ne. Shikoni sa krenarë janë këta që na qerasin ne me lekët tona. Edhe për më bukur se kaq. Të qeshësh t’i zgjasësh jetën vetes deri në bezdi, shkojnë e bëjnë teatri e ri në një godinë ku ka qenë laboratori i kërkimeve hidrike. Unë kam qenë aty një a dy herë me shkollën 8-vjeçare, të shikonim si bëheshin provat kur ndërtoheshin hidrocentralet. Përndryshe, më tej në kujtesë më vinin fëmijët e lagjes që laheshin ndonjëherë aty në krah të murit të gardës, nëpër ujdhesat kur përshpejtohej uji i gjithmonë i ndenjur i vaskave të betonit që imitonin lumenjtë.
Godina është tip standard. Ndërtese tulle me tarracë betoni. Kështu bëheshin stallat, stacionet e pompimit, stacionet makina traktorë, ofiçinat e ndryshme, edhe ndonjë tjetër. Por në përmasa të tilla, zakonisht ky tip ndërtimi është përdorur për stallat e lopëve holandeze që në skeçin e asaj kohe nuk hanin kashtën as me syza jeshile, sepse donin jonxhë mor amani.
Godinën e mbaj mend edhe një herë tjetër, përpara nja 15 vjetësh, turbull, pune arti pamor. Myk me ngjyra të ndryshme. Shiringa droge, dyshekë të ndyrë.
Edhe dritat u ndezën atje tek teatri i ri, në kohën kur u fikën tek i vjetri, kur protesta e përditshme u mbyll, qytetarët që duan historinë e tyre, folën, firmosën edhe ikën, të vijnë sot përsëri, siç kanë ardhur prej 5 muajsh. Sigurisht, këto ditë më të trishtuar se kurrë, kur shohin një humbje të mundshme.
Teatrin qeveria do ta shembë edhe me ligj special, që na kujton gjyqin special që u zhvillua brenda barkut historik të këtij teatri, gjyq nga i cili u pushkatuan intelektualë të shquar të kombit. Sa histori të madhe ka kjo ndërtesë. Si asnjë tjetër në vend.
Edhe në veshë më vjen gjëmima: Në litar! Në Litar! E po asaj turme që sot i shkon pas qeverisë. Ta dish o turmë se nuk je viktimë. Je bashkëfajtore. Ta dish se pushteti është si autobusi urban. Hipën edhe mban biletën në dorë. Rri bëj xhiro sa të duash. Shiu nuk të lag, dielli nuk të djeg. Nuk ke nevojë të paguash. Por aty rrotull e rrotull ke për të ardhur. Rrotull e rrotull jetës sate të kushtëzuar nga kutia e llamarinës dhe xhamave ku shkruhet “me kondicioner” si në të gjitha kioskat e 1990, me xhama serash e ele hekuri nga varrezat e industrisë, siç do t’ua bëjë tëpkë Rama ju teatrin e ri, të cilin po ju vetë do ta ndërtoni. Po. Po. Bile do ta ndërtoni me dyfishin e çmimit.
Jo dyfishin. Më shumë. Do ta ndërtoni me faqen e zezë, e faqja e zezë nuk ka çmim që e zbardh. Edhe unë nuk isha krejt i papërgatitur për këtë. Këtu rrojmë i kemi parë të gjitha. Ta dini se ne që mbrojmë teatrin kemi ardhur aty të mbrojmë historinë tonë, as rrogën as rolet tuaja. Sado të shquar e të mëdhenj që ka pasur ky teatër, i ka pasur gjithmonë se kemi paguar ne, Qytetarët e Tiranës edhe gjithë Shqipërisë. Kështu që ta mbani mend se ne nuk do ta harrojmë, siç nuk e harruam diktaturën komuniste, as pushtimin fashist, se po na vidhni pronën si komunistët. Prandaj jemi ne aty. Të mbrojmë pronën tonë. Nuk është teatri kombëtar vepër e komunales. Është ndërtim me punë shpirtërore vullnetare. Është qëndrim i investuar nga shpirti kombëtar. Investim shumë i paçmuar, në kohë shumë të vështira.
Ta dini ish miq të mi, se ne nuk kemi ç’ju bëjmë përpos t’u kujtojmë stacionin e urbanit. Morët rrugën për te masturbina, por aty do prisni se unë nuk do të vij. Shkoni e bëni teatër të ri. Mbahuni mend si aktorë. Aktorë që shkojnë pas qeverisë se mos ngelen pa paguar. Në fund të fundit fare, vetëm se do të vërtetoni atë dyshimin e reaksionarëve, atë dyshimin tonë, se nuk fitohet lufta me mercenarë. Po, e di, edhe e dimë ne reaksionarët, që kemi luftuar turkun, fashizmin, komunizmin, se nuk kemi ç’ju bëjmë.
Nuk patëm ç’ju bëjmë kur na vratë me gjyqet speciale në teatrin që kishim ndërtuar ne qytetarët për shpirtin tonë. Kujtohuni kur të jeni vetëm, edhe do ta shikoni se kështu u bë e keqja e keqe. Në emër të së resë. Për televizorin me ngjyra të Tirana Viti Zero. Arti është një akt sublim i ndershmërisë. Po ju jeni aktorë. Si ata që i bien burisë edhe e quajnë muzikë me gërnetë sipas kërkesës së atij që e paguan ahengun.
Unë ju uroj shëndet e jetë. Se kështu më ka rritur babai im regjisori Gëzim Erebara dhe nëna ime mësuesja Lumnije Erebara. Me sa duket ju nuk jeni rritur kështu, përderisa e shikoni veten si bijtë e partisë e të pushtetit popullor.
Urrejtja e partisë dhe pushtetit popullor ndaj teatrit, edhe gjithçkaje që ka histori në këtë qytet është e qartë. Partia dhe pushteti popullor nuk do të ketë krahasime. Janë ende me siguresën si në vitin 1938. U është djegur siguresa. Prandaj partia dhe pushteti popullor, pasi e mbjell Shqipërinë me drogë, edhe ne nuk e ndalojmë dot, shkatërron kujtesën historike. Që të ketë si ju, bashkëfajtorë të paguar me qejf për të bërë aheng, qofte, birra, edhe spektakle. Një koncert kushton 500 mijë euro, për 2 orë aheng me brek e pa brek, edhe diskutohet me vite sa kushton të bëhet një teatër kombëtar. Shkoni ju shkoni, në teatrin e ri masturbina, të gjeni dashurinë e atij spektatorit që do të vijë me kokoshka se ashtu e ka parë në televizor. Shkoni. Ne ju thamë.
Si gjithmonë ju uroj shëndet e jetë paçi. Kur të prishet teatri, keni prishur edhe çdo lidhje me mua personalisht, edhe me të gjithë ata që mendojnë si unë. Shkoni e jepni shfaqje për partinë.
Marrë nga FB i autorit