Qeveria ka miratuar këtë javë një vendim që vendos kufij monetarë sa u takon kontratave sipas specifikës së tyre. Që në pikën një të tij, vendimi sanksionon se institucionet nuk lejohen që të ndajnë në disa procedura një kontratë për të shmangur këta kufij monetarë.
“Kufiri monetar është vlera monetare, sipas së cilës përcaktohen rregullat procedurale, kryesisht në përcaktimin e afateve kohore në procedurat e prokurimit publik të sektorit klasik dhe sektorial për punë, shërbime, mallra, si dhe konkurset e projektimit.
Asnjë kontratë publike nuk mund të ndahet me qëllim shmangien e kufirit monetar apo të procedurave të parashikuara nga ligji për prokurimin publik” thuhet në vendim.
Ky i fundit në katër krerë të veçantë trajton kufijtë monetarë për disa sektorë apo kontrata. Kështu për sektorin klasik vendimi specifikon se kjo aplikohet për procedurat e prokurimit për punë publike, e barabartë ose më e madhe se vlera 603 milionë lekë. Po kështu për procedurat e prokurimit për mallra, shërbime dhe konkurset e projektimit, e barabartë ose më e madhe se vlera 16 milionë lekë.
Kufiri i ulët monetar në sektorin klasik është 12 milionë lekë për procedurat e prokurimit të lidhura me për punë publike ose 10 milionë lekë për procedurat e prokurimit për mallra, shërbime dhe konkurset e projektimit.
Kufiri i lartë monetar në kontratat sektoriale është, si më poshtë vijon:
a) Për procedurat e prokurimit për punë publike, e barabartë ose më e madhe se vlera 603 milionë lekë;
b) Për procedurat e prokurimit për mallra, shërbime dhe konkurset e projektimit, e barabartë ose më e madhe se vlera 49 milionë lekë.
Kufiri i ulët monetar në kontratat sektoriale është, si më poshtë vijon:
a) Për procedurat e prokurimit për punë publike, e barabartë ose më e madhe se vlera 12 milionë lekë;
b) Për procedurat e prokurimit për mallra, shërbime dhe konkurset e projektimit, e barabartë ose më e madhe se vlera 10 dhjetë milionë lekë.
Shërbimet sociale dhe të tjera specifike
Kufiri monetar për shërbimet sociale dhe shërbime të tjera specifike në sektorin klasik është e barabartë ose më e madhe se vlera 82 milionë lekë.
Kufiri monetar për shërbimet sociale dhe shërbime të tjera specifike në kontratat sektoriale është e barabartë ose më e madhe se vlera 109 milionë lekë.
Blerje në vlerë të vogël
Kufiri monetar për prokurime me vlerë të vogël është nga 100 mijë lekë deri në 1 milion lekë.
Për vlerën deri në 100 000 (njëqind mijë) lekë autoriteti ose enti kontraktor nuk i nënshtrohet procedurave të prokurimit publik sipas parashikimeve të ligjit për prokurimin publik.
Marrë nga Monitor