Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin policor të koduar “Informaliteti”, duke goditur një rast të tregtimit të hidrokarbureve pa dokumentacion ligjor.
Si rezultat i kontrolleve të kryera në bazë të informacioneve nga inteligjenca policore, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor dhe Seksionin për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare, u zbulua një karburant në zonën e Paskuqanit, ku shiteshin hidrokarbure pa kuponë tatimorë dhe pa fatura blerjeje.
Policia arrestoi në flagrancë pronarin e karburantit, shtetasin Bashkim Maçi, 47 vjeç, i cili dyshohet se kishte kontrabanduar lëndët hidrokarbure që tregtonte. Subjekti u bllokua deri në përfundimin e verifikimeve.
Materialet e rastit i kaluan Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme procedurale.